Lajme

Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, Lipavsky: Ende mendojnë se ka mundësi të jesh mik edhe me agresorin edhe me viktimën


Jan Lipavsky

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, duke iu referuar Serbisë në mënyrë implicite, ka shprehur “keqardhje” që kjo e fundit është në mesin e vendeve që akoma nuk i ka vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar në Ukrainë.

Kur është pyetur për tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe në dritën e luftës në Ukrainë dhe faktit se në rajon ka ende liderë që bashkëpunojnë ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin, kryediplomati çek ka theksuar se të njëjtit nuk mund të kenë mik edhe agresorin edhe viktimën.

Është për të ardhur keq që në Ballkanin Perëndimor ka nga ata që, megjithë agresionin flagrant dhe brutal rus kundër Ukrainës, ende mendojnë se është e mundur të jesh mik me agresorin dhe viktimën apo me vendet që e ndihmojnë viktimën të mbrohet”, ka thënë Lipavsky.

Ai ka shtuar se Ballkani Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i brishtë dhe ata që e konsiderojnë Bashkimin Evropian “konkurrent dhe kërcënim” për sistemet e tyre autokratike të qeverisjes e dinë mirë se BE-ja ka intensifikuar procesin e rreshtimit të vendeve që ndjekin një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

Kryediplomati çek nuk e përmendi në mënyrë eksplicite, por në mesin e shteteve që s’i kanë vendosur sanksione Rusisë është Serbia, megjithëse ajo votoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Moskës.

Zyrtarët serbë në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut – janë bashkuar me sanksionet amerikane dhe evropiane kundër Rusisë, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore