Lajme

Serbia e zgjidh problemin me energjinë, mediumi serb: Arrihet “marrëveshje sekrete” me kompaninë norvegjeze “Rystad Energy”


Termocentrali "Nikola Tesla", ne Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë qëndrimit në Pragë, kishte bërë të ditur se Serbia po bënë gati një strategji energjetike bashkë me norvegjezët dhe se do të nxjerrë përfundime bazuar në këshillat e tyre.

Qeveria e Serbisë ka lidhur “kontratë sekrete” me kompaninë norvegjeze “Rystad Energy”, të cilën e ka nënshkruar ministri i Financave, Sinisha Mali dhe titullohet “Mbështetje për Republikën e Serbisë në zgjidhjen e krizës aktuale energjetike”.

“Deri më 15 nëntor, siç parashikohet në marrëveshje, Serbia do t’i paguajë firmës private norvegjeze të paktën 1.55 milionë dollarë dhe atë vetëm për një pjesë të punës”, shkruan mediumi serb “Nova” e cila pretendon se ka qasje në dokument.

Ndërkaq, thuhet se puna e kësaj kompanie norvegjeze do të ndahet në pesë faza.

“Faza e parë parasheh analizën e gjendjes aktuale në sektorin energjetik të Serbisë. Faza e dytë parasheh përcaktimin e ‘sfidave dhe mundësive për Serbinë në fushën e energjisë në tre vitet e ardhshme'”.

Ilustrim

“Faza e tretë i referohet të ashtuquajturit ‘Tranzicioni i sektorit të energjisë dhe vendosja e kushteve për rritje’ kurse faza e katërt ka të bëjë me ‘perspektivat e sektorit energjetik në Serbi deri në vitin 2050′”, shkruan “Nova”.

Vazhdimi i mbështetjes së kësaj kompanie norvegjeze përfshinë fazën e pestë, në marrëveshje me Qeverinë e Serbisë.

Sipas vlerësimit të kompanisë “Rystad Energy”, sektori energjetik i Serbisë aktualisht është në një situatë të vështirë, e cila, siç thonë ata, është përkeqësuar dhjetorin e kaluar për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe dokumenti thuhet të jetë “rreptësisht konfidencial”.

Ndryshe, Vuçiç trajtoi çështjen e energjisë edhe gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit serb të shtunën 8 tetorit.

“Kemi 10 ditë që nuk kemi importuar asnjë megavat energji elektrike, falë miqve tanë norvegjezë që na ndihmojnë shumë”, kishte deklaruar ai.

Shtetet e Bashkimit Evropian, të mërkurën, votuan për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat përfshijnë kufizimin e çmimeve të naftës ruse të eksportuara nga vendet e treta. Pas miratimit të këtij vendimi, Serbia nuk do të mund të importojë naftë nga Rusia përmes Janaf-it (Gazsjellësit Adriatik).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore