Lajme

Serbia bllokon rreth 300 kosovarë: “Hakmarrje ndaj votimit pro Kosovës në Këshillin e Evropës”


Ilustrim

Fatmir Haxholli, sekretar i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi në pikëkalimin kufitar me Kroacinë, derisa shtoi se kjo lëvizje absurde e autoriteteve serbe erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë në pikëkalimin Serbi – Kroaci nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Haxholli njoftoi ndër të tjera se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e ndërsjellë të dokumentacioneve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, theksoi ai, duke shtuar se do niset drejt ‘Batrovcit’.

“Duke qenë që zyra ndërlidhëse serbe s’po komunikon me zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’iu gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore