Kosova

Serbia arreston një kosovar në Merdarë


Merdare

Autoritet e Serbisë kanë arrestuar një shqiptar të Kosovës në pikën kufitare në Merdarë, duke pretenduar se i njëjti dyshohet për “krime lufte”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se Tefik Mustafa, është arrestuar për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në komunikatën e lëshuar nga MPB-ja serbe, pretendohet se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviç, Zhivojin Paviç dhe Predrag Millosheviç, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, ka thënë Daçiç, siç citohet në komunikatë.

Lidhur me këtë rast nuk ka pasur ende asnjë reagim nga institucionet e Kosovës.

Ky nuk është rasti i vetëm kur Serbia arreston qytetarë të Kosovës, duke i akuzuar ata për krime të pretenduara lufte.

Jo më larg se më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin Sadik Duraku, nën dyshimet “për krime lufte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore