Kosova

Serbia anulon festivalin “Mirëdita, dobar dan”


Protesta në Serbi kundër mbajtjes së Festivalit

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, të enjten, ka urdhëruar ndalimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i projektuar për të ndihmuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiç.

Paraprakisht, ekipi nga Kosova e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten, është ndaluar nga Policia e Serbisë, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol.

Siç raportoi mediumi opozitar serb, Danas, rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste, të enjten, në vigjilje të hapjes së Festivalit kanë organizuar një protestë kundër mbajtjes së këtij evenimenti kulturor.

Në protestë janë parë edhe simbole shoviniste serbe, ku ndër të tjera edhe një pankart me flamurin e Serbisë e vizatuar në hartën e Kosovës.

Sipas raportimeve ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Në Serbi protestohet kundër Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ekipit nga Kosova nuk i lejohet hyrja në Beograd

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore