Lajme

Serbi: Më pak njerëz në protestë se sa të shtunën e kaluar


Protesta në Serbi

Lëvizja e Kryengritjes Mjedisore dhe rreth 40 organizata të tjera edhe të shtunën e 11 dhjetorit kanë organizuar një protestë bllokadë në 50 lokacione anembanë Serbisë.

Protesta bllokadë u mbaj edhe në Novi Sad, Nish, Preljina, Shabac dhe Uzhicë.

Aleksandar Jovanoviç – Ćuta, nga bllokada në Beograd deklaroi se nuk do të ketë paqe derisa kompania Rio Tinto të “dëbohet nga Serbia”.

Organizatorët e protestës ani pse në numër shumë më të vogël se sa një javë më parë i kanë bërë thirrje policisë që të sigurojë rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës dhe prokurorinë të ndjekë penalisht banditë.

Kurse presidenti serb Aleksandar Vuçiç nga Nishi deklaroi se “të gjitha dëshirat dhe urimet” e pjesëmarrësve në protestë u plotësuan, madje edhe atyre që ishin “kapriço politike”.

I riu që u rrah javën e kaluar gjatë protestës në Novi Sad, Ivan Julariç, para protestuesve tha se ata nuk duhet të ngopen me thërrimet që qeveria u hodhi atyre – “mos i lini njerëzit të flenë”, tha ai përcjell N1.

Ndërsa kryetari i Partisë së Bashku për Serbinë, Nebojsha Zelenoviç, gjatë protestës së zhvilluar deklaroi se projekti i minierës së litiumit nuk mund të ndalet plotësisht derisa Kuvendi i Serbisë të miratojë ligjin që ndalon shfrytëzimin e saj.

“Ne do të monitorojmë se çfarë po bëjnë organizatat mjedisore në të gjithë Serbinë, do të konsultohemi dhe do të dëgjojmë se çfarë mendojnë dhe si ndihen njerëzit,” tha ai.

Autoritetet rrugore të Serbisë kanë njoftuar se në autostradën E-75, në urën e Gazelës ,në Shabac, në urën mbi lumin Sava është normalizuar qarkullimi i trafikut pas përfundimit të protestës, përcjell Tanjug.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore