Lajme

Selmanaj “mallkon” qeverisjen e LVV-së: S’kanë lënë institucion publik pa kapur


Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, reagoi ashpër nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, pas emërimit të njeriut të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Milot Cakaj, në pozitën e zëvendës-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), derisa e akuzoi pushtetin për kapje të institucioneve dhe zhvatje të parasë publike.

“Shiteshin si parimor dhe mbrojtës të së mirës publike. Na flisnin kinse me përkushtim për ç’kapjen e institucioneve publike nga militantët politik dhe për integritet të këtyre institucioneve. E sot?! Nuk lanë institucion publik pa e kapur dhe pa e zhvatur. Na dolën super mashtrues, zhvatës dhe kapës të gërditshëm! Turpi mos ju ndaftë kurrë!”, shkroi deputeti i LDK-së.

Cakaj, i cili deri para emërimit në pozitën e re shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, punoi edhe në zyrën e LVV-së si “mbikëqyrës i mediave”, ndërsa sipas njoftimit të BQK-së, emërimi i tij në pozitën e zëvendës-guvernatorit të institucionit financiar, u bë përmes një procesi “konkurrues dhe meritor” pas propozimit të vetë guvernatorit.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm i emërimit të njerëzve të afërt të partisë në pushte në pozita kyçe në BQK. Në shkurt të vitit 2023, ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja, u zgjodh kryetar i Bordit të BQK-së. Nurboja, përveç se kandidat për debutet, shërbeu gjithashtu si zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga LVV-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore