Kosova

Selmanaj akuzon Qeverinë se po mban seancën për të ua mundësuar vazhdimin e mandatit Listës Serbe


Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po mban seancën për të ua mundësuar deputetëve të Listës Serbe vazhdimin e mandatit.

Për këtë arsye sipas tij seanca po mbahet në kushte të jashtëzakonshme.

“Që dy herë kjo sallë është shfrytëzuar për të mbajtur seancë plenare, rasti i parë është për gazin lotsjellës dhe rasti i dytë është për të ua vazhduar Listës Serbe mandatin sepse rrezikohen që të humbasin mandatet”, ka thënë Selmanaj.

Pas kësaj deklarate Lista Serbe ka lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Listës Serbe u kthyen sërish në Kuvendin e Kosovës, pasi kanë bojkotuar disa seanca që nga muaji shkurt – prezenca e tyre në Kuvend ka ardhur me qëllim që të mos i humbasin mandatet.

Kjo për shkak se me rregullore deputetët nëse nuk paraqiten për gjashtë muaj i humbin mandatet.

Lista Serbe për herë të tretë është duke e bërë të njëjtin veprim – ata vetëm nënshkruhen për t’i siguruar mandatet e tyre dhe më pas largohen nga seanca.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, të enjten është duke u mbajtur në kushte të jashtëzakonshme në një sallë krejtësisht më të ngushtë sesa hapësira normale që ka kjo për shkak të renovimeve që po bëhen për rregullim e sistemit të votimit elektronik që pritet të zgjasë deri në fund të muajit gusht.

Në mesin e pikave që pritet të votohen në Kuvend janë themelimi i Komisionit Hetimor për ambalazhuesit e ujit, komisioni hetimor mbi përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave të rastit “Dehari”.

Pritet të votohet edhe projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Teksa në lexim të dytë pritet të shqyrtohet edhe projektligji për Zyrtarët Publikë, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore