Lajme

Selakoviç i reagon eurodeputetes Cramon – “BE të vendos për të ardhmen e procesit të zgjerimit, deri atëherë mbajmë politikë të jashtme të pavarur”


Eurdeputetja dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç

Është pothuajse e pamundur që autoritetet e Beogradit të mos i reagojnë eurodeputetes Viola von Cramon, kur kjo e fundit i bën thirrje Serbisë të bashkërendojë politikën e jashtme me Bashkimin Evropian.

Ndonëse Serbia ka statusin e vendit kandidat të BE-së dhe zhvillon negociata për anëtarësim – gjë që nënkupton a priori harmonizimin e politikës së jashtme me atë të unionit – Selakoviç tha se derisa BE të vendos të ardhmen e procesit të zgjerimit, shteti i tij do të vazhdojë të udhëheq politikë të jashtme të pavarur.

Kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, iu drejtua Cramon “të mos i tregojë Serbisë” për rrugën e saj evropiane, por përkundrazi, të konsiderojë “sinqeritetin e BE-së”, përkatësisht “mungesën e saj”.

“Kur eurodeputetja Viola von Cramon i bën thirrje Serbisë që qartazi të kthehet drejt Bashkimit Evropian, ajo po troket në derë të hapur, por telashja është që Serbia dhe vendet e tjera të rajonit vazhdimisht po trokasin në dyer të mbyllura [të BE-së”, ka thënë Selakoviç.

“Nuk ka nevojë askush askujt t’i rikujtojë Serbisë obligimet e saj në proceset e integrimeve evropiane, por në këtë rast ne ua rikujtojmë juve, nëse BE-ja është e sinqertë në qëllimet e saj, që obligimet janë  të ndërsjella, dhe se përparimet që Serbia ka bërë dhe se edhe vendete tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të vlerësohen nga Brukseli”, ka thënë kryediplomati serb, raportuan mediat serbe.

Selakoviç tha se “derisa BE-ja të vendos se cila është e ardhmja e procesit të zgjerimit, Serbia do të vazhdojë të udhëheq politika të pavarura dhe të lira të një vendi të pavarur që ruan gjendjen e saj elementare dhe interesat kombëtare”.

“Presioni që i bëhet Serbisë ka shumë pak të bëjë me interesat e zgjerimit të BE-së, por me interesa tjera, sikurse në rastin e zonjës von Cramon, të një natyre tejet personale dhe fitimprurëse”, ka thënë ai. mes tjerash.

Parlamenti Evropian sot do të hedh në votim rezolutën ku i kërkohet Serbisë, si kandidate për anëtarësim në BE, të bashkërendojë politikën e jashtme me Bashkimin Evropian, veçanërisht sanksionet ndaj Rusisë dhe Biellorusisë, si dhe është shtuar një amandament ku kërkohet që dialogu Kosovë-Serbisë “të jetë i bazuar në njohje të ndërsjellë”, formulim ky i cili futet për herë të parë në dokumente zyrtare të Parlamentit Evropian.

BE deri më t ani dialogut Kosovë-Serbi i është referuar vetëm si dialog për normalizim të plotë të marrëdhënieve, e cila është edhe një nga kushtet vendosur Serbisë për të vazhduar tutje drejt proceseve integruese evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore