Lajme

Selakoviç i jep krah Vuçiç-it – ai është i pathyeshëm, di çdo pikë dhe presje të Marrëveshjes së Brukselit


Nikola Selakoviç dhe Aleksandër Vuçiç

Sipas ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, ka bërë të ditur se shefi i tij, Aleksandër Vuçiç, në takim me Albin Kurti, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, do të kërkojë me ngulmë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe komfor Marrëveshjes së Brukselit.

Për kryediplomatin serb, Vuçiç, do të mbrojë në mënyrën më të mirë të mundshme interesat jetike të Serbisë, dhe se sipas tij shefi i tij është i vetmi person që mund t’ia dalë ballë presioneve enorme që ai pranon gjithmonë kur është në takime me ndërkombëtarët.

“Problemi i tyre është se Aleksandër Vuçiç di gjithçka shumë mirë, ai ka analizuar çdo pikë dhe presje të Marrëveshjes së Brukselit, ai di se çka është rënë dakord. Ai rezonon mirë dhe qëndron në pozicione që nuk ndryshohen, ai ka treguar me vite të tëra që nuk dorëzohet”.

Në anën tjetër, sipas Selakoviç, Kurti është një figurë e paparashikueshme dhe mu për këtë arsye nga ai nuk duhet të pritet asgjë.

“Situata është shumë e tensionuar dhe e rënduar nga mendjelehtësia dhe sjellja e Prishtinës. Kjo është një arsye për shqetësim”, ka shtuar ai.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Tri ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka folur për temat të cilat e ka ndërmend t’i shtrojë në tavolinë.

Siç është shprehur Vuçiç, në takim me Albin Kurtin në Bruksel, e ka shumë të rëndësishme të tregojë se ai është për paqe dhe stabilitet.

“Ne po shkojmë në Bruksel për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, nuk kërcënojmë askënd dhe duam vetëm të sigurojmë respektimin e rregullave dhe normave të Bashkimit Evropian”, tha Vuçiç.

Për të bërë të qartë se në çfarë cilësie takohet me Kurtin, Vuçiç deklaroi “se Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja e Brukselit janë dokumentet që janë ende në fuqi”.

Ai ka ritheksuar edhe një herë që Serbia pret të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke aluduar kështu se pret themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë të hënë është publikuar gjithashtu edhe një intervistë e Albin Kurtit dhënë për Financial Times.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore