Lajme

Sekretarja franceze pas takimit me Lajçak-un: Mirëpres progresin për targa – mbështesim ndërmjetësimin e BE-së


Laurence Boone dhe Miroslav Lajçak

Sekretarja e Shtetit francez për Evropën, Laurence Boone, pas takimit me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit që ajo përfaqëson për dialogun mes dy vendeve fqinje.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Bonne, përmes një postimi në platformën X, ku theksoi se ka qenë e kënaqur për takimin me emisarin Lajçak.

Ajo theksoi se në këtë takim ka pasur mundësinë “për të përsëritur mbështetjen tonë të vazhdueshme për ndërmjetësimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”.

“Përshëndeta gjithashtu progresin e fundit në njohjen reciproke të targave”, shkroi ajo, duke iu referuar vendimeve të Kosovës dhe Serbisë për t’i njohur targat e njëra tjetrës në territoret e tyre, duke i dhënë fund kështu regjimit të stikersave.

Për takimin në fjalë, Lajçak ka njoftuar të martën.

Përmes një njoftimi në X, top-diplomati sllovak bëri me dije se ka qëndruar për vizitë në Francë, ku është takuar me Emmanuel Bonne, këshilltar i presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Sekretaren e Shtetit për Çështje të Evropës, Laurence Boone.

“Sapo përfundova vizitën time të parë të vitit 2024, e cila më çoi në Paris. Pata takime shumë të dobishme dhe të rëndësishme në Quai d’Orsay dhe Elysee për t’u përgatitur për muajt në vijim. Mirënjohës për mbështetjen e fortë franceze për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe ndaj punës time”, shkroi Lajçak në platformën X.

Këto takime të emisarit Lajçak me zyrtarë të lartë francezë vijnë pas progresit të fundit në dialogun që e fasiliton sllovaku, sic është ajo për njohjen reciproke të targave nga Kosova dhe Serbia.

Lidhur me dialogun, të hënën ka folur edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano.

Stano njoftoi se një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis kryeministrit kosovar dhe presidentit serb – Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç – do të ndodhë në çdo kohë nëse ekziston vullneti i palëve, por se për momentin, nuk ka datë për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së.

“Puna rreth dialogut është duke vazhduar çdo ditë në nivele të ndryshme. Nëse do të ketë takim të nivelit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, ne gjithmonë do ta bëjmë publike disa ditë më herët. Teorikisht takimi është i mundshëm në çdo kohë kur ka vullnet për t’u takuar dhe kur ka një agjendë”, theksoi zëdhënësi i BE-së.

Duke folur për masat ndëshkuese që BE-ja vendosi në qershor të vitit të kaluar ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës në pjesën Veriore të vendit, ai potencoi se masat kufizuese do të hiqen kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për qetësimin e situatës në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore