Lajme

Se kam unë fajin për planin ndaj naftës ruse, por BE-ja – thotë Orban


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pas kundërshtisë që pati mbi embargon e naftës ruse gjatë një samiti të Këshillit të Evropës, e bëri të qartë se përgjegjësia e çështjes nuk bie mbi të, por mbi vetë Bashkimin Evropian.

“Nëse Evropa ka një plan zgjidhjeje për të garantuar furnizimin me naftë dhe energji të Hungarisë, do t’i bashkohemi sanksioneve”, theksoi ai.

Mirëpo, për momentin, kjo duket krejtësisht e pamundur, pasi edhe fuqitë e mëdha brenda BE-së, kanë problematikat e tyre në çështjet e energjisë.

Sipas presidentit të KiE-së, Charles Michel, një zgjidhje përfundimtare do të gjendet. Optimist mbi këtë fakt, është edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Veçse, mesazhet, janë shumë të miksuara.

Orban është i vendosur qartësisht kundër paketës së gjashtë të sanksioneve, e cila përfshin edhe embargon kundër naftës ruse, për shkak se Hungaria është shumë e varur nga Rusia në këtë sektor.

Nga ana tjetër, ai është akuzuar edhe si një “kukull e Vladimir Putinit”, duke qenë se qëndrimi anon për nga mbajtja e lidhjeve me Moskën për këtë çështje.

Ai vetë ndërkohë, e argumenton qëndrimin kundër sanksioneve, duke thënë se po mendon vetëm për të mirën e popullit të tij dhe ai nuk ka ndërmend t’i lëri hungarezët të vuajnë pa një zgjidhje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është edhe zyrtarja e lartë më skeptike në radhët e strukturave evropiane. Ajo beson se një dakordësim në BE, nuk do të arrihet as në 48 orët e ardhshme të bisedimeve.

Ndërsa, i gjithë kontinenti, po pret me kërshëri se çfarë do të ndodhë me sanksionet e reja kundër Kremlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore