Lajme

SBASHK-u: Vaksinimi i mësimdhënësve të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës “që ta ketë në prioritet vaksinimin e mësimdhënësve”.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se kjo kërkesë është shtruar jo për të qenë “ të privilegjuar” por vetëm për qëllim “që të krijohen kushtet për mbajtjen e mësimit në institucione arsimore dhe të mos vazhdohet më me vijimin e mësimit në mënyrë online”.

Tutje ai ka sqaruar edhe kundërshtimin për vaksinimin e mësimdhënësve në Shqipëri, për të cilën ka thënë se edhe pse shteti shqiptar ka shprehur vullnetin për të ndihmuar mësimdhënësit ashtu siç ka ndihmuar personelin mjekësor, “është krijuar një dilemë ngase Shqipëria ka siguruar edhe vaksina të kompanive të tjera si ajo kineze, gjë për të cilën mësimdhënësit kanë hezituar të vaksinohen”.

Jasharaj ka thënë se janë pajtuar me vendimin e qeverisë që mësimdhënësit mos të vaksinohen në Shqipëri.

Ai tutje ka thënë se vaksinimi në Shqipëri do të ishte i vështirë pasi që vetëm në arsimin para universitar janë të angazhuar rreth 30 mijë mësimdhënës.

Ndërsa sa i përket kompensimit të orëve të humbura gjatë këtij viti shkollor, ai ka thënë se janë shtatë ditë, gjë që është në dorën e drejtorive komunale të arsimit se si do të kompensohen.

Ndërkohë, sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media ka thënë se “kjo çështje do të trajtohen me prioritet duke i respektuar rekomandimet e organeve kompetente”.

“Duke pasur parasysh se cilat janë prioritetet në raport me vaksinimin e mësimdhënësve, prioritet do të kenë ata të cilët janë të sëmurë me sëmundje kronike, ata në moshë më të shtyrë, dhe varësisht prej nevojave do të merret parasysh që të ofrohet edhe vaksinimi për mësimdhënësit”, është shprehur ajo.

Po ashtu, Nagavci gjatë kësaj konference ka treguar se pas pushimit njëjavor, nxënësit përsëri i janë rikthyer mësimit, ku për shkak pandemisë COVID-19, klasat nga IV deri XII do të zhvillojnë mësimin online, kurse nga I deri V janë rikthyer në bankat shkollore.

“Në këtë formë për këto nivele të shkollimit do të vazhdohet në këtë javë. Ne do ta përcjellim situatën me pandeminë dhe për javën e ardhshme do të merret vendimi, varësisht si do të jenë rekomandimet nga organet kompetente dhe në dakordim me drejtoritë komunale, varësisht prej rrethanave specifike në secilën komunë”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore