Shqipëria

Sarandë/ Në pranga 49-vjeçari për ndërtim pa leje


Në qytetin e Sarandës është vënë në pranga një 49-vjeçar i shpallur në kërkim policor, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Policia e Shtetit ka njoftuar se para kësaj janë vënë në pranga edhe katër shtetas të tjerë, të kontraktuar nga 49-vjeçari, për ndërtimin pa leje të një objekti, në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, në Sarandë.

Gjithashtu janë evidentuar edhe dy objekte të tjera të ndërtuara pa leje, po në atë zonë nga i njëjti shtetas.

Kështu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, kanë konstatuar dy objektet në vendin e quajtur “Kurora e qyetit”, në lagjen nr.3 të qytetit.

Ndërkohë, në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor, Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.

Sipas policisë, shtetasi dyshohet se ka kontraktuar katër punëtorë për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompetente dhe dy objekte të tjera, të ndërtuara po në zonën e mbrojtur.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak.

Është bërë me dije se ende vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proces legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur të qytetit të Sarandës.

Nga ana tjetër, materialet shtesë në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore