Muzikë

Sam Smith mbetet pa nominime në “Brit”, për shkak të identitetit të tij gjinor


Këngëtari, Sam Smith, identiteti gjinor i të cilit është i jobinar, është përjashtuar nga kategoritë gjinore në çmimet e ceremonisë së “Brit” 2021.

Sistemi i ndarjes së çmimeve ka publikuar kategoritë e zakonshme të artistëve, përfshirë çmimin për “Artistin solo mashkull britanez” dhe “Artisten solo femër britaneze”.

Ky fakt bën që të mos ketë vend për nonimine për artistin Sam Smith, i cili në shtator të vitit 2019 doli me një deklaratë të fuqishme, shkruan The Guardian, transmeton Albanian Post.

“Pas një jete të tërë duke qenë në luftë me gjininë time kam vendosur të përqafoj veten time për atë që jam, brenda dhe jashtë ” tha Smith.

Albumi i tij “Love Goes” është i përshtatshëm për “Çmimin e albumit britanik të vitit”, pasi që ai arriti në numrin 2 në grafikun e Mbretërisë së Bashkuar, gjatë tetorit të vitit 2020 dhe qëndroi në “Top 40” deri në javën e kaluar.

Ylli i këngës “Writings on the wall” në një deklaratë në llogarinë e tij të Instagram-it u shpreh mirënjohës për ceremoninë “Brit”.

“Brits kanë qenë një pjesë e rëndësishme e karrierës time. Muzika për mua ka qenë gjithmonë në lidhje me bashkimin dhe jo ndarjen. Pres një kohë kur shfaqjet e çmimeve mund të pasqyrojnë shoqërinë në të cilën jetojmë. Le të festojmë të gjithë, pavarësisht nga gjinia, raca, mosha, aftësia, seksualiteti dhe klasa” ka shkruar Smith.

Pas deklaratës së Sam Smith, erdhën edhe reagimet e para nga stafi i ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Brit.

Një zëdhënës i çmimeve Brit më vonë u përgjigj, duke thënë se – “Sam është një artist i jashtëzakonshëm Britanik dhe ne jemi dakord me atë që ata kanë thënë sot. Ceremonia Brit është e  përkushtuar të zhvillojnë shfaqjen dhe kategoritë gjinore janë shumë nën rishikim.”

Por sipas këtij zëdhënësi, çdo ndryshim që bëhet duhet të jetë i saktë, në të kundërtën rrezikon të jetë joproduktiv ndaj diversitetit dhe barazisë.

“Ne duhet të këshillohemi më gjerësisht para se të bëhen ndryshimet finale, për t’u siguruar që e kemi mirë” shtoi ai.

Ndërsa, në një mesazh për votuesit e Akademisë, organizatorët u shprehen se – “Duke parë të ardhmen, ne kemi akoma shumë punë për të bërë në vitet e ardhshme për të evoluar ceremoninë më të madhe në Mbretërinë e Bashkuar, Brit”

Smith është një nga artistët më të suksesshëm të pop-it britanik në dekadën e fundit. Albumi i tij debutues 2014, “ Lonely Hour” arriti të kapte vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe kaloi 69 javë rresht në Top 10.

Edhe në vitin e 2017, Smith, ri-përsëriti historinë e tij të suksesit me albumin “The Thrill of it all” i cili gjithashtu arriti të zinte vendin e parë në klasifikimet britaneze.

Smith, më parë ka fituar tre çmime Brit, nga gjithsej 12 nominime.

Ndryshe, ceremonia e ndarjes së çmimeve Brit ka bërë ndryshime në kriteret e pranueshmërisë për këtë vit, duke lejuar kështu që qytetarët të cilët nuk janë britanez por janë banorë rezident të përhershëm për më shumë se pesë vjet, të kenë të drejtë të jenë pjesë e nominimeve.

Ky ndryshim ka bërë që këngëtarja e muzikës pop, Rina Sawayama, e cila ka nënshtetësi japoneze por që ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se 25 vjet, të ketë të drejtë dhe është nominuar për çmimin e yllit në rritje së bashku me reperin, Pa Salieu, dhe këngëtarin e popit, Griff.

Ceremonia e çmimeve “Brit” të këtij viti do të mbahet më 11 maj, pasi është shtyrë për shkak të pandemisë me koronavirus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore