Shqipëria

Saliu qimen e ndërron, por zakonin s’e harron


Shtatë muaj pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në letra ende deputet jashtë grupeve parlamentare, sot gjendet në linjën e parë të demokratëve!

Kjo nuk është vetëm një çështje figurative, por edhe fizike.

Nga radhët e fundit të ulëseve deputetore, Berisha fizikisht është ulur në seancën plenare të 21 prillit në rreshtin e parë të deputetëve të PD-së.

Madje, ai shpërfaqi edhe një sjellje aspak të re apo befasuese prej tij në foltore.

Në një çast, kur kreu i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, u çua për të replikuar me kryeministrin Edi Rama, Berisha u ngrit menjëherë, duke “e shtyrë” Alibeajn nga mikrofonët për të marrë fjalën vetë.

Dikur, Berisha e bënte një sjellje të tillë me kundërshtarët.

Për shembull, kur foltoren ia ka marrë dikur Erion Braçes, duke i “flakur” edhe dokumentet që ky i fundit po lexonte nga piedestali parlamentar dhe u ngjit vetë në të.

Mend mbahet edhe ajo herë kur Berisha i zuri foltoren vetë kryeministrit Edi Rama dhe të dy filluan të shkëmbenin batuta bashkërisht në Parlament.

Skenave që i kanë kaluar historisë parlamentare, iu shtua edhe kjo e Berishës me Alibeajn.

Kësaj radhe arrogancës së dikurshme të Berishës i shtohet ajo e reja, pasojë e frenave të lodhura të moshës.

Nga ana tjetër, pafuqia e kryetarit të mandatuar të PD-së, Alibeaj, për të mbajtur pozicionin e tij kundrejt Berishës, e tregon qartë se veçse kryetar i mandatuar nuk mund të thuhet se është.

Berisha po e rivendos hegjemoninë e tij brenda të djathtëve, e cila de jure mungonte prej një dekade.

Por, vijën e parë e ka tashmë tërësisht të tijën në ofensivën brenda PD-së dhe kundër Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore