Lajme

Sali Ahmeti: “Në Klinikën Infektive kemi pacientë në gjendje kritike”


Ilustrim

Klinika Infektive në Kosovë tashmë është mbushur me pacientë të infektuar nga COVID-19. Në këtë klinikë po trajtohen 113 pacientë, ku 10 prej tyre me oksigjeno-terapi janë në gjendje të rëndë.

Në një prononcim për Albanian Post, Infektologu nga Klinika Infektive, Sali Ahmeti, ka thënë se nga këta 10 pacientë, katër prej tyre janë në gjendje kritike.

“Gjithë pacientët me oksigjeno-terapi janë me forma të rënda të sëmundjes. Nga format e rënda e deri në gjendje kritike. I kemi rreth 10 pacientë që janë në gjendje shumë të rëndë ndërsa katër prej tyre janë në gjendje kritike”, ka thënë ai.

“Ka edhe pacientë me respiratorë, janë tetë gjithsejtë”, shtoi Ahmeti.

Kërkesat për tu hospitalizuar janë vazhdimisht në rritje, ndërsa Klinika Infektive ka vetëm edhe katër shtretër të lirë.

“Kërkesa për hospitalizim ka mjaft. Klinika infektive është e mbushur me kapacitete të plota që disa ditë por sot i kemi lëshuar disa, e aktualisht janë katër vende të lira por duke e pasur parasysh rritjen e shpejt të numrave të të infektuarve sigurisht që do të mbushen edhe këto vende”, është shprehur Ahmeti.

Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar një mijë e 259 pacientë.

Nga ky numër i përgjithshëm një mijë e 61 raste janë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv, një mijë e 60 është numri i atyre që po trajtohen me oksigjeno-terapi kurse 60 është numri i personave që janë në kujdes intensiv.

Në klinikat COVID të QKUK-së janë të shtrirë 437 pacientë, 361 prej tyre të konfirmuar me COVID-19, dhe 389 me oksigjeno-terapi.

Raporti statistikor sipas klinikave COVID-19, tregon se klinika infektive ka numrin më të madh të të hospitalizuarve me gjithsejtë 113 pacientë duke lënë kështu pas kliniken infektive Interno me 97 pacientë.

Në klinikën infektive 2 (Mjekësia Sportive), janë të shtrirë gjithsejtë 96 pacientë me COVID-19, ndërsa në klinikën e pulmologjisë janë të shtrirë 89 pacientë.

Derisa klinika e pediatrisë ka numrin më të vogël të të hospitalizuarve me gjithsejtë gjashtë pacientë, klinika e gjinekologjisë është duke trajtuar 17 pacientë, kurse në mjekimin intensiv qendror COVID-19 janë duke u trajtur gjithsejtë 19 pacientë.

Në spitalet e përgjithshme po trajtohen 822 pacientë, 700 prej tyre COVID-19 pozitiv kurse 671 me oksigjeno-terapi.

Sipas statistikave të përgjithshme të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, spitali i Pejës qëndron si më i ngarkuari sa i përket të të hospitalizuarve.

Në spitalin e Pejës janë duke u trajtuar 210 pacientë, në Prizren gjithsejtë 174 pacientë, 144 në spitalin e Gjilanit, 139 në spitalin e Gjakovës, 80 pacientë në spitalin e Ferizajt, 48 në spitalin e Mitrovicës dhe 27 në spitalin e Vushtrrisë.

Ndërkaq, SHSKUK ka krijuar hapësira me shtretër shtesë për trajtim të pacientëve të prekur me COVID-19. Kjo për shkak të situatës së krijuar me rastet në rritje të të infektuarve.

Në klinikën Infektive II (Mjekësia Sportive), pas pranimit teknik, janë vendosur rreth 80 shtretër shtesë.

“Menaxhmenti i SHSKUK-së, duke e parë situatën e krijuar dhe rritjen e ndjeshme të numrit të pacientëve të prekur me COVID-19, që po kërkojnë ndihmë në QKUK, ka krijuar hapësira me shtretër shtesë për trajtim të pacientëve”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

“Në dy katet e pjesës së përfunduar së fundmi të Klinikës Infektive II (Mjekësisë Sportive), pas pranimit teknik, janë vendosur rreth 80 shtretër shtesë”, vijon njoftimi.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 26 persona të vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 383 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 11 mijë e 472 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 996 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 26 mijë e 886.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 17 mijë e 684.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 548 mijë e 855 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 276 mijë e 890.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore