Kosova

Sahatçiu: Kryeministër, uleni në tavolinë edhe SBASHK-un – gjejeni zgjidhjen


Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe SBASHK-un që të ulen në tavolinë për të gjetur një zgjidhje që greva e mësimdhënësve të ndalet dhe të hapen shkollat.

“Kryeministër, uleni në tavolinë edhe SBASHK-un. Gjejeni zgjidhjen. Prandaj fitohet udhëheqësia. Nuk lihen në faj vartësit”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook.

Ajo ka theksuar se “nuk pritet në pafundësi zgjidhje nga poshtë”.

“Nuk kemi nevojë për drama të reja. Të sigurohemi që të hënën tjetër dhjetëra mijëra nxënës e fillojnë ditën në banka të shkollës sikurse shokët e shoqet e tyre në shkolla private”.

Sipas Sahatçiut, edhe një e hënë tjetër iu iku nxënëseve, “por, jo të gjithëve”.

“Vetëm ata që ndjekin shkolla publike”.

“Vetëm ata që nuk munden me e përballu shkollimin privat. Po e theksojmë ndarjen e klasave: kush ka e kush nuk ka? Çfarë po presim? Kush po dorëzohet i pari? Kush po del më “i forti”? Trishtuese”.

Ku qëndron problemi?

Grevistët duan që Kurti të takohet me Këshillin Grevist të BSPK-së, por kryeministri refuzon, pasi kryetar i këtij Këshilli është Rrahman Jasharaj.

Kurti nuk do takim me Jasharajn.

Përse e refuzon nuk ka treguar asnjëherë, por i pyetur vetë Jasharaj se çfarë mund të ketë kryeministri me të, ai ka deklaruar se “nuk e di, përveç se në një takim me ka pas thënë ‘e di unë me kënd je ti’, tjetër gjë nuk di”.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Çfarë do qeveria?

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për media, ku thotë se takimet nuk kanë munguar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore