Kosova

Sa më shumë që prolongohet Asociacioni aq më keq bëhet situata e sigurisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, thotë Petritsch


Wolfgang Petritsch

Sa më shumë prolongohet procesi i formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës, aq më keq do të bëhet situata e sigurisë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu të paktën thotë ish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Wolfgang Petritsch, duke shtuar se një situatë e tillë është gjëja e fundit të cilën e dëshiron Unioni në këtë fazë kur në botë ka probleme më të mëdha siç është ajo në Ukrainë.

“Po jua them një gjë, që është e rëndësishme, pse tani ka më shumë incidente në krahasim me të kaluarën? Sepse nuk ekziston një zgjidhje për kohë të gjatë, mbi 10 vjet. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin është punë e kryer. Sa më shumë që nuk ka përgjigje konstruktive kjo temë, aq më keq do të bëhet, dhe kjo nuk është diçka që duam”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë

Prandaj, diplomati austriak beson që duhet të ndërmerren iniciativa më proaktive.

“Është e rëndësishme që Prishtina të dalë me propozime, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të flitet për nivelin teknik. Çfarë gjithmonë flasim për Asociacionin është nëse duhet të ekzistojë një i tillë, por a kemi biseduar ndonjëherë për hollësitë? Si duhet të duket Asociacioni, çfarë kompetenca duhet të ketë?”

Sipas tij Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me serbët në Veri për çështjen e Asociacionit meqë të njëjtit preken drejtpërdrejtë nga formimi i një mekanizmi të tillë.

“Duhet të flitet me njerëzit. Kjo është përgjegjësi, sidomos e udhëheqësisë në Prishtinë, për të kuptuar më shumë për nevojat e tyre. Çfarë idesh kanë, të analizohen ato me seriozitet. Atëherë mendoj që mund të kemi zgjidhje, sepse një dialog i brendshëm në Kosovë mund të prodhojë rezultate më realiste”.

Petritsch, ndër të tjera, ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, diplomati austriak ka potencuar që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.

Ndër tjerash, Petritsch ka thënë se incidenti i këtij viti në Banjë të Kosovës duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë, e cila do të ketë prioritet në vitin që vjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore