Kosova

Rusia për situatën në veri: Kosova t’i tërheqë njësitet speciale, po synohet dëbimi i serbëve


Flamuri i Rusisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në Kosovë në veri të vendit që serbët lokalë kanë bllokuar dy rrugë nacionale në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo ministri konsideron se veprimet e institucioneve të Kosovës ishin provokime që synonin dëbimin e serbëve.

“Në thelb është një përpjekje e shqiptarëve për të pushtuar zonat e populluara me serbë dhe për të vendosur kontrollin e tyre atje. Ne i konsiderojmë këta hapa si një provokim që synon spastrimin etnik dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ndërsa, ju ka bërë thirrje autoriteteve që të tërheqin njësitë speciale policore nga veriu dhe t’i përkushtohen detyrave për zgjidhje të situatës.

“Ne presim që miqtë amerikanë dhe evropianë të Prishtinës të kenë një efekt kthjellues mbi situatën, në mënyrë që të shmangët një skenar destruktiv që kërcënon të gjithë rajonin”.

Tutje në këtë reagim, thuhet se “KFOR-i dhe EULEX-i nuk janë të gatshëm të përmbushin detyrën e tyre parësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, e po ashtu Bashkimi Evropian si i emëruar për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës e Serbisë, nuk ka ndërmarrë hapa të prekshëm për të arritur ndryshime për të mirë”.

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator 2021, nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Për shkak të kësaj mase, serbë lokalë bllokuan dy rrugë nacionale në veri të vendit.

Të dy rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, po mbahen të bllokuara nga dhjetëra kamionë dhe vetura të vendosura nga protestuesit serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore