Lajme

Rusia nuk do t’i marrë më seriozisht deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s


Moska duket se nuk do të marrë më seriozisht asnjë deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili është emëruar në krye të bankës qendrore të Norvegjisë.

Kështu ka bërë me dije zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp të mërkurën e 16 shkurtit.

Reagimi i saj vjen si përgjigje ndaj deklaratës së Stoltenberg se dyert e NATO-s do të mbeten të hapura për Ukrainën.

“Këto deklarata të bëra nga Stoltenberg, i cili është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ose bankier, nuk janë më me interes”, ka thënë ajo.

Për të, “ai nuk është një person, deklaratat e të cilit do të konsiderohen në Moskë si argumente serioze”.

Nga ana tjetër, diplomatja ka vënë në dukje se shpresonte që bisedimet konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n mbi garancitë e sigurisë do të vazhdojnë.

“Këto çështje kërkojnë një bisedë të thellë dhe thelbësore”, ka ravijëzuar ajo.

Sipas saj, çka nevojitet është respekti reciprok ndaj shqetësimeve.

“Do të donim që palët të dëgjonin njëra-tjetrën, në vend që të ligjëronin ose të bënin deklarata boshe që janë thjesht humbje kohe, në vend që të synojnë respektimin e shqetësimeve të njëri-tjetrit”, ka vijuar Zakharova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore