Lajme

Rusia e bën të jashtëligjshme ‘lëvizjen publike ndërkombëtare LGBT’ si ekstremiste


Gjykata e Lartë e Rusisë e ka shpallur të jashtëligjshme, ekstremiste, atë që e quajti “lëvizje publike ndërkombëtare LGBT”.

Çka shënon një vendim historik që përfaqësuesit e homoseksualëve dhe transgjinorëve paralajmërojnë se do të çojë në arrestime dhe ndjekje penale të komunitetit tashmë të shtypur LGBTQ+.

Vendimi e nxjerr jashtë ligjit aktivizmin LGBTQ+ në një vend që po bëhet gjithnjë e më konservator që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sakaq, etiketimi “ekstremist” mund të nënkuptojë se homoseksualët, transgjinorët ose queer që jetojnë në Rusi mund të marrin dënime të gjata me burg nëse konsiderohen nga autoritetet si pjesë e të ashtuquajturës “lëvizja publike ndërkombëtare LGBT”.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Drejtësisë paraqiti një kërkesë që “lëvizja ndërkombëtare LGBT” të etiketohet si ekstremiste, pa sqaruar se çfarë do të thotë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se formulimi i paqartë i vendimit u lejon autoriteteve ruse të persekutojnë çdo individ apo organizatë që ajo e konsideron si pjesë të lëvizjes.

“Edhe pse nuk ekziston diçka e tillë si një lëvizje ndërkombëtare LGBT, është e qartë se të gjitha aktivitetet ligjore të organizatave LGBT do të jenë të pamundura në Rusi”, ka thënë Igor Kochetkov, kreu i grupit të të drejtave të Rrjetit Rus LGBT.

Lucy Shtein, një aktiviste ruse, ka thënë se “kushdo që e identifikon veten si pjesë e lëvizjes LGBTQ+ tani mund të bëhet një objektiv”.

Kremlini ka përdorur më parë etiketën ekstremiste për të ndjekur penalisht grupet e të drejtave të njeriut, median e pavarur dhe opozitën, duke përfshirë aleatët e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny, disa prej të cilëve kanë marrë dënime të gjata.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Vladimir Putin ka nisur një përpjekje të re për të promovuar “vlerat tradicionale”.

Presidenti rus e ka bërë retorikën anti-gay një nga gurët e themelit të agjendës së tij politike.

Ai përsëriti përbuzjen e tij për komunitetin LGBTQ+ gjatë një fjalimi këtë muaj duke iu referuar transgjinorëve si “transformues”.

Disa kritikë të Kremlinit kanë thënë se retorika është një përpjekje nga ana e Moskës për të krijuar një armik të brendshëm ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po zvarritet me njerëzit LGBTQ+ që përdoren si koka turku nga autoritetet.

Gjatë verës, ligjvënësit rusë ndaluan ndërhyrjen mjekësore dhe procedurat administrative që do t’i lejonin njerëzit të ndryshojnë gjininë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore