Lajme

Rusia do të jetë ‘më e fortë’ pas kryengritjes së Wagner-it, sipas Lavrov-it


Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i pyetur për stabilitetin e Rusisë pas një rebelimi mercenar të dështuar, tha të premten se vendi i tij ka dalë gjithmonë më i fortë dhe më elastik nga çdo vështirësi.

Lavrov, i cili po fliste në një konferencë shtypi, tha se reagimi i shumë zyrtarëve perëndimorë ndaj rebelimit të abortuar të së shtunës nga shefi mercenar i Wagner, Yevgeny Prigozhin – i cili kishte thënë se fasada e fuqisë ruse ishte plasaritur – tregoi në mënyrë indirekte se të njëjtët zyrtarë ishin në luftë me Moskën.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “Reuters” dhe “AFP”.

“Ne nuk kemi pse t’i shpjegojmë asgjë apo t’i japim garanci askujt. Ne po veprojmë në mënyrë transparente, presidenti dhe të gjitha forcat politike në vendin tonë kanë folur për këtë temë. Nëse ka dyshime në Perëndim, ky është problemi juaj”, tha Lavrov.  “Rusia është shfaqur gjithmonë më elastike dhe më e fortë pas çdo vështirësie”.

Kryediplomati rus tha se vetë Moska kishte dyshime për aftësitë e shumë politikanëve perëndimorë.

Lavrov bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të zgjerohet në mënyrë që t’u jepet më shumë përfaqësim vendeve aziatike, afrikane dhe të Amerikës Latine për të thyer atë që ai e quajti dominim perëndimor në botë.

“Shumica e botës nuk dëshiron të jetojë sipas rregullave perëndimore”, tha Lavrov.

Ai përsëriti akuzën e Moskës se Perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, po përpiqeshin të pengonin Rusinë dhe Kinën që të vepronin në mënyrë të pavarur në një botë shumëpolare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore