Lajme

Rusia dhe Kina, gati “për të rritur bashkëpunimin ekonomik”


Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin ekonomik përballë sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

“U ra dakord të zgjerohet bashkëpunimi në energji, financa, industri, transport dhe fusha të tjera, duke marrë parasysh situatën në ekonominë globale që është bërë më e ndërlikuar, për shkak të politikës së paligjshme të sanksioneve të Perëndimit”, tha Kremlini.

Kujtojmë që Kina ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës, por ka refuzuar të bashkohet me një konsorcium global të vendeve në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, në vend të kësaj duke fajësuar për konfliktin Shtetet e Bashkuara dhe zgjerimin e NATO-s në Evropë.

Mbështetja publike e Pekinit për Rusinë nuk është lëkundur.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, riafirmoi më herët angazhimin e saj ndaj Moskës gjatë një takimi virtual, ku mori pjesë edhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov.

Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të promovuar “demokracinë reale”, duke aluduar në një qëllim të politikës së jashtme kineze për të kundërshtuar atë që e ka përshkruar si hegjemoninë e SHBA-ve në politikën globale.

Rusia nuk ka kërkuar “armë dhe municione” për të mbështetur luftën e saj, thanë zyrtarët kinezë, por nuk pranuan të komentojnë nëse Rusia kishte kërkuar sende të tjera që mund të përdoren në operacionet ushtarake, duke përfshirë teknologjinë dhe furnizimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore