Lajme

Rusët bastisën përbërësit e “bombës së pistë” nga laboratori i Çernobil-it


Në kaosin e përparimit rus në Çernobil, grabitësit bastisën një laborator të monitorimit të rrezatimit.

Ata janë larguar me izotope radioaktive nga mësymja e tyre.

Këto të fundit përdoren për të kalibruar instrumentet dhe pjesët e mbetjeve radioaktive.

Nëse përzihen me eksplozivët konvencionalë, ato formojnë një “bombë të pistë” që do të përhapte kontaminimin në një zonë të gjerë.

Lajmin e ka bërë të ditur revista amerikane “Science”, e cila është një nga revistat më të mira akademike në botë.

Anatolii Nosovskyi është drejtori i Institutit për Problemet e Sigurisë së Termocentraleve Bërthamore (ISPNPP) në Kiev, i cili rrëfeu ngjarjen.

“Kur u fikën dritat në termocentralin bërthamor të Çernobil-it më 9 mars, ushtarët rusë që mbanin punëtorët ukrainas nën kërcënimin e armëve u bënë shqetësimi im më i vogël”, tregon ai fillimisht.

Shkencëtari tregon se më urgjente ishte mundësia e një aksidenti rrezatimi në impiantin e çmontuar.

Edhe pse energjia u rivendos në Çernobil më 14 mars, shqetësimet e Nosovskyi-t janë shumëfishuar pas bastisjes së izotopeve radioaktive.

ISPNPP-ja ka një laborator të veçantë në Çernobil me materiale edhe më të rrezikshme me “burime të fuqishme të rrezatimit gama dhe neutron” që përdoren për të testuar pajisjet, thotë Nosovskyi më tej për revistën amerikane.

Ai ka humbur kontaktin me laboratorin, dhe thekson që “fati i këtyre burimeve është i panjohur”.

Çernobil-i nuk është i vetmi instalim bërthamor ukrainas në rrezik në luftë.

Më 4 mars, forcat ruse bombarduan termocentralin bërthamor të Zaporizhzhya – për fat të mirë shmangën sallat e reaktorit – shkruan revista “Science”.

Dy ditë më vonë, një sulm me raketë dëmtoi një reaktor kërkimor të përdorur për të gjeneruar neutrone për eksperimente në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv.

Nosovskyi i etiketon sulmet si “terrorizëm bërthamor” i sponsorizuar nga shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore