Shqipëria

Rruga e Rinasit me një sens drejtimi, banorët në protestë


Ashtu siç kishin lajmëruar banorët në zonën e Rinasit janë mbledhur mëngjesin e 2 majit për të protestuar për devijimin në rrugën e Rinasit.

Kjo pasi ky aks u bë vetëm me një sens kalimi dhe solli trafik të rënduar me radhë të gjata automjetesh.

Banorët kanë bllokuar aksin tek Ura e Gjolës dhe janë përplasur me efektivët e Policisë dhe FNSH-së.

“Për të blerë bukë, duhet t’i biem nga Vora. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë. Unë e kam marrë vesh pardje, nuk dimë asgjë. Nuk ka asnjë rrugë, vetëm nga Fushë-Kruja”, thonë banorët.

Një shqetësim i tyre mbetet edhe rritja e kostos së përditshme.

“Këtë rrugë e bëjmë 100 herë në ditë. Nga shtëpia deri në aeroport 15 mijë lekë”, thanë ata për mediat.

Ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i cili ka njoftuar se pas periudhës së COVID-19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke sjellë probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar.

Kështu me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, është bllokuar për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaj.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.

“Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit!”, shkruhet në njoftimin e ARRSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore