Lajme

Rrahja në Kuvend, “deputetët që ishin të përfshirë në dhunë të vihen para drejtësisë”


Për rrahjen mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën 13 qershorit, sipas hulumtueses në Institutin Demokratik të Kosovës, Violeta Haxhollin, në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale saktësohen qartë shkeljet dhe masat që duhet të merren.

“Janë shkelje flagrante të tyre, por pastaj sanksionet që parashihen për personat, qofshin ata deputetë, ministra, apo qytetarë të thjeshtë të cilët përfshihen në dhunë fizike dhe në sulm të personave zyrtarë, kjo hyn në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale dhe për këtë organet e rendit marrin masat e nevojshme dhe ne besojmë se si Institut që drejtësia do t’i vënë para përgjegjësisë akterët të cilët kanë qenë të përfshirë në dhunë”, tha Haxholli për Ekonomia Online.

Haxholli shtoi se sjelljet e tilla janë imazh i keq dhe e kthejnë mbrapa vendin sa i përket zhvillimit të demokracisë parlamentare.

“Dhuna nuk ofron asnjë kontribut, asnjë progres sa i përket zhvillimit të vendit dhe ato nuk duhet të përsëriten. Për ato sjellje, ato veprime u mbetet organeve të drejtësisë që të marrin masa siç edhe parashihen me ligj”.

Si rrodhi ngjarja?

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu seancën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Pas rinisjes së seancës plenare, përsëri përplasjet nuk munguan – jo si në atë paraprake. Deputetët e PDK-së dhe të partive të tjera opozitare kërkuan që të ndërpritet seanca, mirëpo shumica insistonte që vazhdonte me miratimin e Projektligjeve që ishin paraparë.

Të gjendur në këtë situatë, ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare, tentuan që ta bllokojnë punën e kuvendit, madje deputetja Ganimete Musliu, dhe Floretë Zenjullahu, mbanin dy pankarta në duar; në njërën ishte Kurti, në tjetrën shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka inicuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me rrahjen që ka ndodhur në Kuvend.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

Në komunikatë është bërë e ditur se gjithashtu e ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.

“Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, është theksuar në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore