Lajme

Roth: Vuçiç dhe regjimi i tij s’kujdesen për vlerat evropiane, BE-ja të veprojë


Kryetari i Komisionit të Parlamentit gjerman për Politikë të Jashtme, Michael Roth, ka thënë se pjesëmarrja e Serbisë në shënimin e “Ditës së Republikës Srpska” në Bosnje dhe Hercegovinë, tregon se presidenti i serb Aleksandër Vuçiç dhe regjimi i tij nuk kujdesen për vlerat evropiane.

“Një tjetër shenjë jashtëzakonisht shqetësuese. Presidenti serb Vuçiç dhe regjimi i tij nuk kujdesen për vlerat evropiane. Ato janë një rrezik sigurie për paqen dhe stabilitetin në rajon. Nuk mund të mbyllim më sytë para këtyre provokimeve. BE-ja më në fund duhet të veprojë”, shkroi ai në platformën X.

Ndryshe të martën, në dritën e kërcënimeve secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë shënoi “ditën kombëtare” në Banja Llukë në mesin e zyrtarëve institucionalë, krerëve ushtarakë e prijësve fetarë të Serbisë, ndërsa në paradën e mbajtur morën pjesë edhe pjesëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës shpalli tri herë 9 janarin festë antikushtetuese – në vitin 1992, kuvendi i atëhershëm i popullit serb të Bosnje dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, entitet i pavarur në Bosnjë dhe Hercegovinë – megjithëse tash e shtatë vjet askush nuk ka marrë përgjegjësi penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore