Shqipëria

Robinson: SPAK ka bërë punë të mirë, por duam më shumë rezultate


Ndihmës-sekretari amerikan Todd Robinson theksoi se Prokuroria e Posaçme SPAK po bën një punë fantastike.

Dhe jo vetëm SPAK, por edhe “agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006”.

Kështu ka deklaruar ai gjatë një interviste për televizionin Top Channel, gjatë ndalesës dyditore që pati në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare në datat 18-19 mars.

Po ashtu, Robinson ka theksuar edhe mbështetjen e pakushtëzuar të Prokurorisë së Posaçme SPAK në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe e ka etiketuar si “fantastike” punën e prokurorëve në organin e lartë hetimor, të cilin ai vetë e ka ideuar.

Ai gjatë intervistës theksoi se SHBA-të do të ndihmojnë dhe inkurajojnë në çdo instancë vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri dhe organet ligjzbatuese amerikane janë këtu për ndihmë.

Intervista e Todd Robinson

Ambasada amerikane këtu në Tiranë shpërndau të dhëna dhe fotografi mbi takimin tuaj me prokurorët e posaçëm të SPAK dhe ajo që vumë re ishte stoku i dosjeve të konsiderueshme në zyrat e prokurorëve anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Çfarë menduat në ato momente kur patë stokun e dosjeve në ato zyra?

Todd D. Robinson: Më bëri përshtypje volumi i punës që bënin. Dhe mendoj se po përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për t’iu kundërvënë krimit dhe korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në vend. Dhe jam krenar për bashkëpunimin dhe punën e përbashkët me SPAK-un. Dhe synimi ynë është që ta vazhdojmë këtë.

Cili është mesazhi që iu dhatë prokurorëve të posaçëm anti-korrupsion dhe që insistoni ta përsërisni sërish?

Todd D. Robinson: Dhamë një numër mesazhesh. Së pari, që ata (SPAK) po bëjnë një punë fantastike dhe jo vetëm SPAK, por të gjitha agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006. Ky ishte mesazhi i parë; i dyti – Qeveria e Shteteve të Bashkuara është këtu për t’i ndihmuar me punën e tyre. Ajo që iu thashë ishte, burimet janë të kufizuara kudo në botë. Por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë. Dhe mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu. FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar.

Ku ndodhet Shqipëria në vlerësimin tuaj për sa i takon ligjzbatimit, narko-trafikut, pastrimit të parave dhe anti-korrupsionit?

Todd D. Robinson: Mendoj se kanë treguar se e kanë kapacitetin për t’i kryer këto hetime dhe për t’iu vënë pas këtyre rrjeteve. Po e shohim në Shqipëri. E kam parë në udhëtimet e mia në Amerikën Latine. Kuptojmë që ekspertiza dhe ndërtimi i kapaciteteve nuk janë të lehta. Nuk është diçka e shpejtë. Dhe nuk do të jetë diçka e përsosur. Por shohim që ndodh përparim. Duam të shohim më shumë. Dhe prandaj po ndihmojmë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar gjithmonë mbështetjen për reformën në drejtësi, financiare dhe morale. A mund të quhet kjo reformë e suksesshme deri në këto momente?

Todd D. Robinson: Është e suksesshme por ka gjithmonë më shumë punë për të bërë. Dhe jemi këtu për të ndihmuar që kjo punë të vazhdojë. Reforma në drejtësi ka shumë nivele të ndryshme – nga sigurimi që qytetarët e zakonshëm kanë qasje në drejtësi, tek sigurimi që ndërveprimi i tyre me sistemin e drejtësisë është transparent dhe një marrëdhënie pozitive për ta, tek sigurimi që ata që futen në sistemin e drejtësisë, kur dënohen për një krim dhe futen në sistemin e burgjeve, që të trajtohen në mënyrë njerëzore. Të gjitha këto janë të rëndësishme, përsëris, për shqiptarët e zakonshëm, të cilët duhet të presin se do të trajtohen pikërisht ashtu kur futen në atë sistem. Dhe prandaj jemi këtu për të ndihmuar, prandaj agjencitë e ndryshme të Shteteve të Bashkuara janë këtu për të ndihmuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore