Shqipëria

Rituali i patredhur i çiftimit në Big Brother


Ekziston një teori se intelekti njerëzor është si pendët e një palloi. Thjesht një shfaqje ekstravagante, me qëllim tërheqjen e një partneri.

I gjithë arti, letërsia, pak Mozart, William Shakespeare, Michelangelo, Empire State Building, thjesht një ritual i përpunuar për çiftim.

Ndoshta edhe nuk ka rëndësi se sa shumë kemi arritur, për një arsye kaq bazike.

Por, sigurisht, palloi as që mundet të fluturojë. Jeton në pisllëk, duke çukitur insekte nga balta e duke e ngushëlluar veten me madhështinë e tij.

S’ngjan kjo me fenomenin “Big Brother Albania Vip”, e posaçërisht me një situatë të krijuar mes dy prej banorëve të formatit, Luiz Ejllit dhe Kiara Titos?

Të gjithë duket se janë kuriozë të kuptojnë se çfarë ka kaq të veçantë në raportin e këtyre të dyve, që nuk e gjen dot publiku në instanca të tjera.

Mbi të gjitha, duke marrë parasysh se formate të tilla si Big Brother përmbahen edhe brenda parakushteve të teorisë së disonancës, kur realizohen me njerëz normalë…aq më tepër kur për banorë të një vile të vëzhguar aq gjerësisht, janë persona të njohur për audiencën, secili në mënyrën e vet.

Sipas teorisë së disonancës, ka një ndryshim mes sjelljes reale të një njeriu dhe asaj të shfaqur, e studiuar gjerësisht nga psikanalistët apo bihejvioristët në psikologji.

E thënë më thjeshtë, për shkak të natyrës së individit dhe pozitës në të cilën gjendet, tjetër shfaqet dhe tjetër është në natyrën e vet më të pastër.

Këtë domosdoshmërisht e presin të gjithë në formate të tilla si Big Brother, ku edhe njerëzit e thjeshtë në një duzinë edicionesh të mëparshme, e kanë treguar veten si të aftë për të aktruar e për të mos e shfaqur veten në njëtrajtshmërinë e tyre.

Thënë kjo, situata e Luizit (i humbur prej kohësh nga vëmendja e publikut) dhe Kiarës (personazh estetikisht plastik i televizionit në vitet e fundit), është një ritual interesant i krijuar mes dy personave të gjinisë së kundërt, secili me interesa paraprake.

Nuk do as kohë ta kuptosh këtë gjë, por pa kaluar aty, të këqyrim fillimisht një nga emisionet “Prime” të këtij edicioni, për të vëzhguar më tej se si dinamika zhvillohet aty.

Një repertor gjysmë mondan i shfaqjes së moralitetit bërë bashkë në një “mise en scene” tipike prej “reality show”.

Nga njëra palë, personazhe publike (jo VIP), të cilët harrojnë herë po e herë jo se janë në shënjestër të kamerave brenda shtëpisë, duke degraduar në fjalorin e përdorur.

Nga ana tjetër, ente të paqena morale, siç mund të pandehen edhe “analistët” e emisionit, diskursi publik i të cilëve nuk rreh aty për nga ku debati i brendshëm çon.

Rrjeti komunikativ i të dy analistëve, në vend të përshkruajë për publikun atë çfarë ai nuk sheh, përçon brenda shtëpisë predispozitën e audiencës për të luajtur “Krishtin”, aty ku Kisha nuk ka, pasi brenda vetë shtëpisë, teorema është e qartë: Një për vete, për të gjithë askush!

Të krijohet vetvetiu një ndjenjë pështjellimi prej komentimit (a)moral në “Prime”, kështu që rikthehemi te Luizi dhe Kiara.

Në fakt duhet thënë se Ejllin, po e godiste kështu si tërthorazi karma e krijesave të tija muzikore.

Pse?

Menjëherë me t’u futur në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, ai e shfaq veten tejskajshmërisht të vetëtitur nga ekspozeja e Kiarës (tepër elegante, estetike, femërore dhe skenike për ekranin e syrin e njeriut).

Kjo e fundit, “Zjarr e ftohtë” (ashtu si kënga e Luizit në përfaqësimin që i bëri Shqipërisë në Eurovision-in e vitit 2006), e kuptoi se koketën nuk duhet ta luante, por ta jetonte në realitet dhe të vështirë në fakt dikush si Kiara nuk ka pse ta ketë, pasi është palloi femër, e cila pret shfaqjen e pendëve të mashkullit në këtë rast.

Vetë Luizit, si natyrë njerëzore tepër ekstroverte, me një lirshmëri të llahtarshme në guximin e batutave të lëshuara në kufijtë mes të pranueshmes e jo, ekstravaganca nuk i mungon.

Mirëpo partnerja potenciale është një kockë më e fortë se e menduara dhe në bazë të një sjelljeje sociale shqiptare të jetuar e perceptuar, është e rëndom të shohësh burra, duke “vuajtur” për të thithur vëmendjen e grave, djem për të rrokur vëmendjen e vajzave e më tej.

Fjalët, shikimet, shfaqja, nuk janë gjithnjë me rëndësi, sa mund të jenë doza të tjera.

Një video prej 4 minutash e 42 sekondash gjithsesi, mjafton për ta zbardhur gjithë misterin e situatës.

Jo pak herë Luizi i pati deklaruar Kiarës se ai tregohet tepër i kujdesshëm në atë çfarë i thotë asaj, pasi nuk ka për qëllim ta humbasë, nëse thotë diçka të tepruar që nuk duhet.

Por roli aktorial mbeti i munguar në një fraksion të sekondit.

“Më ke lodh!”, i thotë ai ashtu si pa dashur asaj në dialektin shkodran, me një shfryrje kredhëse në prag dorëzimi.

Situatën e humbur perceptualisht në një zhbërje të disonancës me veten, e rikap dhe e vë shpejt nën kontroll.

“Bëje dallimin”, i përkufizon ai më tej, “mes jam lodh dhe jam dorzu”, teksa ajo shqyen sytë duke e parë me habi e duke tundur krahët se çfarë po dëgjon t’i thuhet nga partneri potencial që ka përballë.

I vetmi çast real mes tyre, ishte ai, i cili lirshëm doli nga teoria e disonancës.

Atëherë kur ndërgjegjja mungoi, pastërtia e përmblodhi gjithë përpjekjen monumentale të një palloi mashkull, me pendë të flatruar me hijeshi.

Siç e ka përkufizuar edhe Carl Jung në teoritë e tij mbi ndërgjegjen dhe studiues të tjerë, të cilët e pasuan në psikanalizë, ajo na bëhet shpesh një peshë e shtuar, një barrë që duhet ta mbajmë në kurriz, me një ankth që na shtyn ta urrejmë veten e ta fajësojmë për çfarë jemi.

“Lodhja” e tij, krijoi edhe ndjenjën e përkatësisë me audiencën, të cilën vetë publiku e çmoi, por analistët as që e përmendën.

E ngjizi aty një çast të çmueshëm për syrin e “vëllait të madh”, por jo një shkreptimë për Kiarën gjysmë të shastisur.

Kësisoj, ritualin nuk e tredhi, por e vijon ende, në kërkim të asaj që më shumë se ai vetë, e duan ata jashtë…çiftimin!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore