Jetesë & Stil

Rikthehet lufta me domate në Spanjë, “Tomatina” festoi 75-vjetorin


Në qytetin lindor spanjoll të Bunol, mijëra të ftuar hodhën rreth 130 ton domate të pjekura mbi njëri-tjetrin teksa festivali “Tomatina” festoi edicionin e tij të 75-të.

Ky edicion vjen pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të pandemisë.

Lufta me domate filloi në mesditën e së mërkurës së 31 gushtit, kur gjashtë kamionë të ngarkuar me domate kaluan nëpër rrugën kryesore, duke i shpërndarë për një orë.

Më pas, pjesëmarrësit në festë i hodhën dhe mbuluan njëri-tjetrin me lëngun e kuq.

“Tomatina” e ka origjinën nga një përplasje spontane mes fshatarëve në vitin 1945.

Ai u ndalua për një kohë gjatë viteve 1950 në kulmin e diktaturës së gjeneralit Francisco Franco, por mbijetoi për të fituar popullaritet në të gjithë Spanjën në vitet 1980.

Ditët e sotme festivali tërheq turma të mëdha vizitorësh nga jashtë, si dhe spanjollë.

Thuajse një dekadë më parë, organizatorëve iu desh të kufizonin kapacitetin dhe filluan të shisnin bileta, pasi festivali ishte shumë i mbushur me njerëz.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore