Sport

Rikthehet Liga e Kombeve, të mërkurën luhet gjysmëfinalja e parë


Liga e Kombeve do të rikthehet sonte (e mërkure, 14 qershor), ku do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë mes Holandës dhe Kroacisë.

Holanda u rendit në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës A, duke lënë pas Belgjikën, Poloninë dhe Uellsin.

Ndërsa në anën tjetër, Kroacia debuton në ketë fazë, duke u pozicionuar si forcë e parë në Grupin 1 në Ligën A duke lënë pas kombëtare si Danimarka, Franca dhe Austria.

Holanda e nisi vitin 2023 me disfatën 4:0 ndaj Francës në kualifikueset e Euro 2024, por triumfoi ndaj Gjibraltarit me shifrat 3:0 dhe pse duhet theksuar se disfata ndaj “Gjelave” ishte disi e rëndë për ambientin holandez.

Kroacia, e cila humbjen e fundit e ka regjistruar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022 ndaj Argjentinës, vjen me një formë të mirë në këtë përballje

Kroatët triumfuan ndaj Turqisë në ndeshjen e fundit në udhëtim dhe e kanë nisur mirë rrugëtimin drejt Evropianit Gjermani 2024 me 4 pikë në dy ndeshjet e para.

Interesant është fakti se këto dy skuadra nuk janë takuar që 25 vite në një ndeshje zyrtare, derisa ajo e fundit daton në Botërorin e Francës të vitit 1998.

Më pas, të dyja skuadrat zhvilluan një miqësore në shkurtin e vitit 2008, me Holandën që triumfoi 3:0.

Kujtojmë që ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja do të zhvillohen në Holandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore