Kosova

Reuten: Qasjes së butë ndaj Vuçiç-it t’i jepet fund – s’mund të lejojmë më shumë gabime në Ballkan


Thijs Reuten

Para së gjithash, qasjes aktuale duhet t’i jepet fund, dhe kjo ka të bëjë kryesisht me qasjen më të butë ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, për mendimin tim, ndikon jo vetëm në punët e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke mbështetur Presidentin e Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Milorad Dodik, por edhe një pengesë për përparimin në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme, ka thënë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, deputeti holandez në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, i cili është një nga nënshkruesit e letrës që ligjvënësit perëndimorë ia kanë dërguar kryediplomatëve të BE-së dhe ShBA-së.

“Së dyti, duhet të jemi shumë të qartë për atë që kërkojmë nga partnerët në të gjithë rajonin. BE-ja në veçanti duhet të kuptojë se stabiliteti i këtij rajoni është kyç për stabilitetin e të gjithë kontinentit. Nuk mund të lejojmë më shumë gabime dhe një gjë që ne propozojmë si deputetë është diplomacia parandaluese”, shtoi ai.

Kosova e ka pranuar planin e de-eskalimit të propozuar nga BE-ja, të mbështetur nga ShBA-ja në takimin e 10 korrikut në mes të kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, por masat ndëshkuese që u vendosen nga Unioni ende nuk janë larguar.

Për këtë eurodeputeti holandez potencon se ka qenë “shumë kritik për këtë në disa takime në Parlamentin Evropian”.

“Sipas meje, në bazë të kërkesës së BE-së, që nga 3 qershori Kosova ka treguar gatishmërinë e saj për të zbatuar të gjitha pikat. Problemi tani është se ne kemi një situatë në favor të presidentit Vuçiç, sepse ai tani mund të tërhiqet dhe të vazhdojë lojën e tij, e cila nuk synon përparimin, por mbajtjen e situatës jostabile. Dy gjëra duhet të ndodhin: së pari, një kthim në dialog dhe më pas të dy vendet duhet të fokusohen në zgjedhjet e tyre të qasjes ndaj integrimit evropian”.

Ndërsa, ai shtoi se ka dëgjuar shumë kritika që grupi që ka nënshkruar letrën, që i është dërguar kryediplamtit të BE-së dhe atij amerikan “është armik i Serbisë”, por ai pohon se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë.

“Nuk ka asgjë më të mirë për rajonin sesa që Serbia të zgjedhë një të ardhme evropiane. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë BE-së dhe rajonit. Ne nuk jemi armiq, por duam një ndryshim të qartë politikash, i cili duhet të jetë i balancuar dhe proporcional”, shpjegoi ai.

Tutje, Reuten potencon se “ne nuk mund të lejojmë më shumë gabime në Ballkanin Perëndimor”.

“Serbia duhet të marrë një vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e Putinit (Presidentin rus Vladimir Putin)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore