Lajme

Republika Srpska stopoi miratimin e heqjes së vizave mes BeH dhe Kosovës, Balje: E kam pasur këtë frikë nga Dodik, s’pritet gjë e mirë prej tij


Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, nuk është befasuar nga vendimi i deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës, të cilët të martën kanë votuar për të stopuar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor arritur në Procesin e Berlinit e ku parashihej edhe heqja e regjimit të vizave midis BeH dhe Kosovës.

“Prej Dodikut e kam pas këtë frikë, prej tij nuk pres gjëra të mira. Edhe është një prej momenteve që ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne si deputetë boshnjakë për këtë marrëveshje kemi votuar në Kuvend të Kosovës”, thotë ajo për Albanain Post.

Bllokimi i kësaj marrëveshje nga serbët e Bosnjes, Balje thotë se duhet të shërbejë si mësim për Kosovën, që të ketë kujdes çfarë kompetenca u jep serbëve përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse në të ardhmen njëjtë mund të bllokojnë proceset edhe në Kosovë.

“Ky është një prej momenteve që ne nuk duhet të përsërisnim gabimin e njëjtë si ata që e kanë bërë në Bosnje”, shtoi Balje.

Sa për atë që ndodhi me këtë mos ratifikim të marrëveshjes, deputetja thotë se “unë si përfaqësuese e boshnjakëve ndihem keq”.

“Pasi tash është koha e dasmave dhe njerëzit duhet të lëvizin”, dhe arsyeton se “unë jam shumë e sigurt se secili boshnjak e pranon Kosovën si shtetet i pavarur, por vendimet nuk janë në dorën e tyre”.

Cka është marrëveshja për lëvizjen pa viza e arritur në Procesin e Berlinit?

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë më 27 qershor, kanë votuar për të ndaluar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Lëvizja pa viza e qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës ishte nënshkruar si marrëveshjeve e mobilitetit arritura mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër Procesit të Berlinit, porse me vendimin e fundit të Republikës Serbe është ndaluar heqja e regjimit të vizave.

Anëtarja serbe e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Zhekja Cvijanoviç, inicioi një mekanizëm për të mbrojtur “interesat vitale” të Republikës Serbe, sepse sipas saj, heqja e regjimit të vizave do të ishte e dëmshme për interesat e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Qeveria e Kosovës, më 8 shkurt, pati miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Më 3 nëntor 2022, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu kanë ratifikuar tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit, që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, por të njëjtat nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, kjo nuk i pengon shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese. Këtë po e dëshmon Kosova.

Jo funksionaliteti i parlamentit malazez për shkak të ngërçit politik atje dhe destruktiviteti i presidentit nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, janë bërë pengesë për ratifikimin dhe implementimin e marrëveshjeve nga shtetet respektive.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore