Shqipëria

Regjistrohet rritje e numrit të aksidenteve rrugore në shtator


Numri i aksidenteve rrugore në muajin shtator të këtij viti është rritur me 4,5 për qind.

Shtatorin e vitit 2023 numërohen 93 aksidente rrugore nga 89 të ndodhura në po të njëjtin muaj vitin pararendës.

Kështu rezulton sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) mbi “Aksidentet Rrugore”.

Sakaq, numri i të aksidentuarve rezulton 122 persona nga 134 në muajin shtator të vitit 2022.

Në 94,6 për qind të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,8 për qind të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 9,1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin shtator të vitit 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e shtunë me 20,4 për qind.

Kurse numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të ditën e enjte me 4,3 për qind.

Ndërkohë, 22,5 për qind e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00.

Në nëntëmujorin e vitit 2023, numërohen 863 aksidente rrugore nga 884 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 2,4 për qind.

Numri i të aksidentuarve është 1.189 persona nga 1.257 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet rrugore, në 11,5 për qind të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për nëntëmujorin është ulur me 11,6 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore