Shqipëria

Reagon Ujësjellësi Krujë: Furnizimi rifillon, përdorimi vetëm sanitar


Ujësjellësi i Krujës ka reaguar mbi çështjen e helmimit të ujit në qytetin e Shqipërisë së Mesme, ku sipas tyre, nga analizat e bëra, përdorimi i tij është i sigurt tashmë dhe furnizimi do të rifillojë sot rreth orës 20:00.

Analizat, sipas deklaratës së Ujësjellësit, janë bërë në tre laboratorë: Ai i Institutit të Shëndetit Publik, ai i njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë dhe ai i ISHSH Durrës.

Nga të tre analizat fizio-kimike dhe baktereologjike, sipas institucionit, është rënë dakord se furnizimi do të rifillojë, por duhet të limitohet në përdorim sanitar.

Nëndrejtori i ISHP, Dritan Ulqinaku, shpjegon analizat e ujit në Krujë

Më herët, nga ISHP, u bë me dije se uji ka pasur prani të bakterit Enterokok. Prania e tij ishte për shkak të shirave të ditëve të fundit, të cilët kanë kontaminuar ujin.

Gjithsesi, furnizimi do të jetë me kapacitet të reduktuar fillimisht. Kjo, për të bërë të mundur kryerjen e analizave të tjera në vijim, për furnizimin e radhës.

Çfarë ndodhi në Krujë?

Qindra pacientë filluan të dynden në spitalin e Krujës, me shenja të ngjashme me ato të helmimit, të hënën e 25 tetorit.

Dyshimet e para ranë menjëherë mbi ujin e pijshëm të qytetit, duke parë edhe shkallën e gjerë në të cilën problemet u shfaqën.

Pasi qindra pacientë kishin marrë mjekim, ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi ambientet e spitalit.

Ajo garantoi se shërbimi po jepej në kohë të shpejtë dhe pacientët po merrnin mjekimin e duhur.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspekton gjendjen e pacientëve në Spitalin e Krujës

Gjatë dy ditëve të para, rreth 600 persona u paraqitën në qendrën shëndetësore.

Më pas, u bë me dije se mostra të ujit kishin ishin dërguar pranë ISHP-së, për t’u analizuar.

Vetë Bashkia e Krujës dhe Ujësjellësi filluan të merrnin masa mbi këtë ngjarje. Ata thanë se situata mund të jetë shkaktuar nga reshjet e shiut.

Në një komunikatë, ata theksuan faktin se uji i pijshëm është shpërndarë me autobote në zona të ndryshme të Krujës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore