Shqipëria

Reagon kreu i Bashkisë Pukë pas vrasjes së oficerit: Ka pikëlluar të gjithë pukjanët


Mbrëmjen e 28 shtatorit, pas vrasjes së oficerit të Policisë, Saimir Hoxha, ka reaguar dhe kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj.

Gjonaj e ka cilësuar atë si “të mirin e Pukës, pinjoll i një familje me zë dhe oficer profesionist”.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, i pari i Pukës i shprehu ngushëllimet familjes Hoxha.

“Lus Zotin ti jap forcë prindërve, bashkëshortes, dy motrave dhe të afërmve të tjerë për përballimin e kësaj dhimbje të madhe”.

Gjonaj ka vijuar më tej duke vënë në dukje kontributin e familjes së tij për Atdheun, Shtetin ligjor dhe të drejtën.

“Edhe Saimiri sakrifikoi jetën në krye të detyrës, teksa dora kriminale e një narkomani nuk i kursej jetën birit të Pukës”.

Ndërkaq ai e cilësoi oficerin dhe familjen e tij si simbol i “së mirës”.

Në përfundim ai tha se vrasja e tij, “na ka pikëlluar të gjithë ne pukjanët e mbi të gjitha familjen Hoxha dhe të afërmit e tyre”.

Kujtojmë se Hoxha ishte vëllai i gjyqtares së Gjykatës së Pukës.

Vrasja e Oficerit

Në orët e para të mëngjesit, Saimir Hoxha, 44 vjeç, humbi jetën në krye të detyrës.

Ai u qëllua me armë zjarri, gjatë një kontrolli anti-canabbis në zonën e Ishull Lezhë.

Menjëherë drejt ngjarjes u nis drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe u ngrit një strukturë e përbërë nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në ndihmë të kësaj strukture shkuan edhe helikopterët e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.

Ndërkaq nga struktura e posaçme u identifikua dhe autori i cili ishte 21-vjeçari, Aldi Rama.

Aldi Rama, autori i vrasjes
21 vjeçari sipas policisë ka pasur precedent penal. Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Ndërkohë 2i-vjeçari pas disa orësh operacion ra në prangat e policisë.

Në momentin e kapjes së tij ai ka qëlluar me armë zjarrin veten dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Ndërtimi i ngjarjes

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 44-vjeçari po kontrollonte territorin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Aty, gjatë orëve të para të mëngjesit, në zonën e Vainit, u sulmua grupi i kontrollit të policisë.

Hoxha ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Vendi i ngjarjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore