Kosova

Reagimi i Kurtit për Ivanoviç-in, Syla: E ka nda mendjen të vazhdojë rreshtimin e tij kundër UÇK-së


Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka thënë për Albanian Post se është çuditur me reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç.

“Albin Kurti, çdo ditë e më shumë, po e përfaqëson mirë e më mirë Serbinë në Kosovë”, tha Syla.

Madje, Syla mendon se “Kurti si duket e ka nda mendjen të vazhdojë rreshtimin e tij kundër UÇK-së”.

“Dje, përkujtuam Reçakun, e nga 1 janari deri më sot çdo ditë varrosem nga një bashkëluftëtar, e Kurti sot kujton një të akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, duke na treguar se sa i dashur paska qenë ai”.

Klinaku për Albanian Post: Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, reagimi i Kurtit është i dëmshëm

Gjatë kësaj të hënë, Kurti, përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës.

“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”.

Sipas Kurtit, vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë.

“Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviç-in, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen”.

Por, ndryshe nga tash, Kurti gjatë vitit 2015, atëkohë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, pati thënë se i ndjeri ishte angazhuar “për realizimin e planit hegjemon të Serbisë – kolonizimin e Kosovës dhe spastrimi i tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore