Lajme

Rasti “Stenta 2”, deklarohet kardiologu Gani Bajraktari


Gani Bajraktari, Kardiolog

Gani Bajraktari, kardiolog, një nga 37 të akuzuarit në rastin “Stenda 2” ka dhënë deklaratën e tij, në seancën e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, ai ka thënë se deri në vitin 2014 kur ishte zgjedhur përsëri drejtor i repartit të Kardiologjisë, numri i koronografive kishte qenë shumë i vogël, madje për katër vite ishin implementuar vetëm 4 stenta, ndërsa në vitin kur ai u rizgjodh drejtor, sipas tij u bënë 249 stentime duke filluar për herë të parë edhe trajtimi infarktit në zemër.

Sipas tij, gjatë periudhës 2009-2014 kishin ndodhur gjëra të pahijshme dhe kishte pasur performancë të ulët të mjekëve.

“Sipas udhërrëfyesve të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në vitin 2014 asnjë nga këta mjek nuk ka pas të drejtë me vendos stenta sepse Shoqata Evropiane e Kardiologjisë e përcakton numrin 75 brenda një viti si numër për mbajtje të performancës. Pra, ai doktor që në vitin 2013 nuk i ka vendos 75 stenta nuk ka të drejtë me vendos stenta në 2014”, ka thënë ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngarkuar 37 persona, në mesin e të cilëve ka të përfshirë mjek e zyratrë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “ marrje ryshfeti”.

Bajraktari ndër të tjera ka shtuar se stentat në infarktin akut nuk janë vendos asnjëherë në QKUK deri me 10 tetor 2014 kur ai tha se kishte ftuar miqtë e tij ndërkombëtar që t’i ndihmojnë, ku pas 3-4 muajve tha se kishin filluar me vendosjen e stentave.

Ai ka deklaruar se askund në botë nuk ka repart të Kardiologjisë Invazive dhe se aktakuza ka ndaluar zhvillimin e Kardiologjisë për faktin se atë e kishin larguar nga pozita e drejtorit në vitin 2014.

Tutje, i akuzuari Bajraktari ka thënë se protokollet e shoqatës evropiane i ka përkthyer në gjuhën shqipe dhe ka kërkuar që të zbatohen 100% ashtu që sipas tij aty shkruan se “infarkti akut duhet te trajtohet brenda 2 orëve dhe rasti  me te keq brenda 24 orëve”.

Sipas tij, trajtimi i infarktit akut 24 orë në 7 ditë në QKUK ka filluar tek në vitin 2018.

Duke u përgjigjur e avokatit të tij mbrojtës Reshat Millaku, ai tha se në rastet urgjente kur nuk kanë mundur që të vendosin stenta është dashur të veprohet sipas Ligjit për Shëndetësi, konkretisht nenit 24 i cili përcakton se “në rastin kur institucioni nuk është në gjendje që të ofroj kujdesin e duhur shëndetësor ai është i obliguar që ta udhëzoj qytetarin në institucion tjetër shëndetësor që është në gjendje ta trajtoj”.

Bajraktari e quajti skandaloze faktin se 162 fletëlëshimeve të përmendura në aktakuzë iu mungon faqja e dytë nga CD-të e sjella nga prokurori Besim Kelmendi, në të cilën janë nënshkrimet e mjekëve referues të cilët e kanë mbyllur historinë dhe e kanë lëshuar pacientin nga QKUK-ja.

“Skandali tjetër më i madh, unë kom bo research në fletëlëshimet tjera që kanë emra dhe mbiemra edhe i kom pa për çdo vit kush çka ka referu, ka qenë referuesi i parë dhe i dytë, dy referues dhe rezulton se unë kom pas pakti dhe shumica e këtyre njerëzve që kanë bo referime nuk janë në aktakuzë hiq”, shtoi i akuzuari.

Ai tha se në vitin 2014 vetëm atë kinse e kishin paguar, e këtë ia kanë bërë për t’ia rritur shifrën pasi sipas tij kishte penguar avancimin e një gruaje të një autoriteti të lartë në Prokurori.

E për të cilin tha se nuk ia përmend emrin, sepse gruaja e tij kur ky kishte qenë dekan ishte zgjedhur pedagoge në mënyrë të paligjshme dhe se prej vitit 2011 ka probleme për atë arsye.

Bajraktari tha se ngarkohet se kinse kishte qenë i vetmi mjek në 2014-tën që kishte marrë para nga IMH, krejt kjo se është gjetur sipas tij një laptop në të cilin “çdo njeri mund të shkruaj çka të dojë”.

I njëjti tregoi shifrat e personave të referuar për trajtim jashtë QKUK-së dhe atë në vitin 2011 – 0, në vitin 2012 – 1, në vitin 2013 – 4, në vitin 2014 – 1 dhe në vitin 2015 – 4 pacientë.

Sipas tij, në aktakuzën e sajuar të Prokurorisë ekziston një laramani e tmerrshme e ngritjes së aktakuzave për kolegët në disproporcion me parat e marra të supozuara që janë marrë si ryshfet.

“Nëse është marrë kjo listë për bazë, pse nuk është ngrit aktakuzë për ta?  Pse këtij me 3 mijë euro si kanë ngritë aktakuzë e me 500 euro i kanë ngritë”, tha Bajraktari.

Kurse, në spitalin privat “IMH” tha se ka punuar nga viti 2010, deri në vitin 2014 kur ishte zgjedhur drejtor klinike, e që po atë ditë kishte dhënë dorëheqje nga spitali privat.

I njëjti deklaroi se është diçka imagjinare dispozitivi i aktakuzës ku thuhet se ky dhe të akuzuarit tjerë janë marrë vesh që pacientët që shkojnë në kontroll në institucione publike shëndetësore, në vend që ti kryenin veprimet për të cilat janë autorizuar, i kanë referuar për në spital privat.

“Mu më ka përgju shpesh Besim Kelmendi, s’ka mujt me gjetë kurrë asnjë sen, po të kisha pas marrëveshje me ta, në përgjime isha ra, s’kisha pas qare pa ra”, ka shtuar tutje Bajraktari.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, ai tha se gjithmonë është paguar përmes bankës sa ka punuar në spitalin “IMH” dhe asnjëherë nuk ka ndodhur të marrë para “cash”.

Kurse, në lidhje me aparatin që ia kishte shitur këtij spitali, ai tha se ekziston kontrata-faturë e shitblerjes e nënshkruar nga vet ky dhe nga drejtori i Spitalit “IMH”.

E në lidhje me letrat referuese, ai tha se të njëjtat kanë përfshirë trajtimin emergjent të pacientit, kurse në vitin 2013 është ndryshuar udhëzimi administrativ ku janë përfshirë edhe rastet akute.

Për këto letra tha se nuk i ka shkruar kurrë pasi që nuk ka qenë asnjëherë anëtar i komisionit, mirëpo kolegët e tij që i kanë nënshkruar ato letra, gjithmonë i kanë shkruar për rastet akute.

“Prokurori nuk ka arritë me gjetë asnjë letër referuese ku doktorrat kanë rrejt”, tha ai, duke shtuar se kjo letër më pas ka mundur të shfrytëzohet nga familjarët e pacientëve për nevoja të ndryshme, si për sigurime shëndetësore, apo për të kërkuar ndihma.

E që për këta pacient tha se nuk e di se në cilin spital kanë shkuar, e që sipas tij prokuroria nuk e ka asnjë pacient të vetëm që ky e ka dërguar në “IMH”.

“Asnjë ankesë nuk e kam, asnjë pacient nuk u anku kurrë për mu, asnjë dëshmitar as në prokurori as këtu nuk e ka përmen emrin tem”, tha ai.

Duke shtuar, se kurr asnjë pacientit të vetëm nuk i ka thënë që të shkoj në spitalin “IMH”.

Në fund, pasi Bjaraktari iu është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues të përbërë nga gjykatësja Çerkini dhe gjykatësit Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari, ka filluar të jep mbrojtjen e tij i akuzuari Faik Shatri.

I njëjti ndër të tjera deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori me 25 shkurt të vitit 2016.

“Mashtrim ma të ëmbël nuk kom përjetu kurrë”, tha ai, duke shtuar se prokurori i kishte thënë se nuk beson se këtu do të ketë vepër penale.

Mirëpo, Shatri tha se vetëm pasi e kishte parë emrin e tij në gazetë e kishte kuptuar që është i akuzuar.

E që për shkak të përfundimit të orarit, i njëjti pritet që të vazhdoj në seancën e nesërme e cila veçse ka qenë e caktuar.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 37 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore