Lajme

Rasti i Banjskës, Kamberi: Perëndimi të parandalojë çfarëdo tentative të Vuçiç-it për hakmarrje ndaj shqiptarëve në Luginë


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të veprojë në parandalimin e çfarëdo tentative të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it për hakmarrje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas rastit të Manastirit të Banjskës ku një grup terrorist i financuar nga Serbia u fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.

“Nuk do të ishte hera e parë që Serbia mllefin ndaj Kosovës ta shfryjë në Luginë”, ka shkruar Kamberi në rrjetin e tij social në Facebook.

Kamberi duke komentuar intervistën e një ditë më parë të Vuçiç-it për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, ai kujtoi deklaratën e këtij të fundit.

“Vuçiç, mbrëmë, deklaroi se në aksionin e Banjskës, në radhët e policisë profesionale të Kosovës ndodheshin edhe ‘kriminel të trajnuar nga Presheva’”, shkroi më tej ai.

“Pse Vuçiç në mesin e gjithë policëve që kanë marrë pjesë në neutralizimin e aksionit terrorist në Banjskë përmendë Preshevën?”, ka pyetur ai.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore