Lajme

Raporti i Demokratëve: Kosova shpenzoi afër 5 mijë dollarë në hotelin e Trumpit


Ilustrim

Në një raport të publikuar rishtas, i cili është paraqitur para Kongresit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të enjten, ku flitet për shpenzimet e subjekteve të huaja shtetërore në pronat e ish-presidentit amerikan, Donad Trump, thuhet se zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), kanë shpenzuar afër 5 mijë dollarë për akomodim në hotelet e Trumpit.

Shteti i Kosovës është në mesin e 20 vendeve, qeveritë e të cilave kanë shpenzuar gati 8 milionë dollarë në total në pronat e Trumpit në kohën kur ai drejtonte Shtëpinë e Bardhë. Në raport thuhet se zyrtarë të MPJ-së, përfshirë ministrin e atëhershëm, Behgjet Pacolli, kanë qëndruar në hotelin “Trump International” në Uashington, duke shpenzuar 5 mijë dollarë.

Në bazë të raportit të hartuar nga Partia Demokratike, akomodimi i Pacollit në hotelin e Trumpit ka kushtuar rreth 990 dollarë mes 25 dhe 26 korrikut të vitit 2018, ndërsa qëndrimi i zyrtarëve të tjerë të MPJ-së në periudhën e njëjtë, ka kushtuar 3960 dollarë. Në total, sipas të dhënave të kompanisë “Mazars” për kontabilitet, pagesat nga Kosova kanë qenë 4950 dollarë.

Në këtë listë, përveç shpenzimeve të Qeverisë së Kosovës në pronat e ish-presidentit amerikan, janë përmendur edhe qeveritë e Katarit, Kuvajtit, Indisë, Malajzisë, Afganistanit, Filipineve, Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE), Kongos, Kazakistanit, Tajlandës, Qipros, Mongolisë, Libanit, Shqipërisë, Letonisë, Turqisë dhe Hungarisë.

Kongresmeni nga radhët e Demokratëve, Jamie Raskin, ka thënë se shifrat janë vetëm “një fraksion” i shpenzimeve të subjekteve të huaja në pronat e Trumpit dhe vlejnë vetëm për dy vjetët e tij në Shtëpinë e Bardhë, derisa e ka akuzuar ish-presidentin amerikan se duke vënë interesat personale financiare mbi interesin publik, ka shkelur Kushtetutën e SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore