Kosova

Raporti i DASH-it për Lirinë e Mediave: Deputeti i pushtetit, Haki Abazi, kërcënoi median e pavarur Albanian Post


Haki Abazi

Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, në pjesën për lirin e shprehjes, përfshirë edhe lirinë e mediave, është dhënë kërcënimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që i kishte bërë Albanin Post-it, rreth publikimit të një lajmi ku mbulohej caktimi i ambasadorëve nga Qeveria e Kosovës.

“Në shtator, Haki Abazi, deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërcënuar median online Albanian Post dhe drejtorin e saj mbi mbulimin e lajmit për caktimin e ambasadorëve nga qeveria. Mediumi publikoi incizimin e këtij incidenti”, thuhet në raportin e DASH-it.

Shembulli me kërcënimin që Abazi i kishte bërë AP-së është dhënë për të ilustruar se si në Kosovë ka ende pengesa për mediat e pavarura dhe tendeca të interferimit të pushtetit.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pati kërcënuar Albanian Post se nëse mediumi vazhdon të raportojë për të, ai do të ndërmarrë masa të ashpra.

Do ta bëj edhe ma zi se në Klan”, ka qenë një nga kërcënimet e Abazit, kur është kontaktuar nga Albanian Post për të marrë një prononcim për emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës, pasi Abazi është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Parlamentin e Kosovës.

Kërcënues dhe i shthurur është treguar veçanërisht kur ka folur për drejtorin e mediumit, Baton Haxhiu.

Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë”, ka thënë Abazi, duke dëshmuar kështu se sa ishte zëvendës-kryeministër në Qeverinë “Kurti 1”, ai ka ndërhyrë në mediat e Kosovës për të pozicionuar e ripozicionuar njerëz, ashtu si i leverdis atij.

Abazit nuk i kishte mjaftuar një kërcënim. Ishte lëshuar edhe në të tjera.

Pa brengen se mund të ketë reprezalje, ai ka vazhduar të kërcënojë mediumin dhe gazetarin Haxhiu.

Unë po të tregoj, thuaj Baton Haxhiut mos ma qitë të keqen prej barkut”.

Abazi, një nga njerëzit më të afërt me kryeministrin Albin Kurti, e dinte se biseda incizohet, sepse çdo thirrje për prononcime arkivohet, por atij aq i bënte.

Por, rasti i Abazit, thotë departamenti amerikan, nuk është një rast i izoluar.

Përkundër se në raport thuhet se “mediat e pavarura ishin aktive dhe kanë shprehur një gamë të gjerë pikëpamjesh, kryesisht pa restriksione, raportet thonë se zyrtarë të qeverisë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe religjioze, dhe individ të caktuar kanë bërë presion të pronarë mediash, editorë individualë, dhe reporterë të caktuar që të mos publikojnë storie të caktuara ose materiale të caktuara”.

“Disa gazetarë u stopuan nga raportimi i hulumtimeve kritike për shkak të frikës së mund të sulmohen fizikisht, apo mund ta humbasin punën”, thuhet në raport.

“Derisa disa media kanë adoptuar qëndrime editoriale dhe politikë të lajmeve të pavarur nga politika apo bizneset, ato me më pak burime nganjëherë kanë pranuar mbështetje financiare në shkëmbim të mbulimit pozitiv ose në këmbim të ndalimit të publikimit të storieve negative.

“Sipas disa redaktorëve, fondet kanë qenë të limituara për shkak se qeveria hezitonte të jepte reklama në mediat që publikonin materiale kritike ndaj politikave të qeverisë”.

 

Përse ishte ankuar Abazi?

Haki Abazi

Shqetësimi i Abazit ishte për një raportim të Albanian Post kur kishte dështuar intervistimi i kandidatëve për ambasadorë.

AP e raportoi tekstin nën titullin “Dështon intervistimi i kandidatëve për ambasadorë”, derisa brenda tekstit ishte një intervistë e realizuar me Time Kadrijajn, anëtare e komisionit.

Kadrijaj e bënte fajtor për dështimin e intervistimit vetë Abazin.

“Haki Abazi nuk ka arritur të sigurojë kuorumin nga deputetët e pozitës dhe nuk ka të drejtë të ankohet për ne”, kishte thënë Kadrijaj, pasi ajo dhe deputetja tjetër nga PDK-ja, Ariana Matoshi, akuzoheshin se e “sabotuan procesin e caktimit të ambasadorëve”.

Pra, se ai ka dështuar ta formojë kuorumin ishte citat i thënë nga Kadrijaj, por Abazi problemin e ka me vetë raportimin.

Deputeti i LVV-së nuk do që të shkruhet asnjë lajm për të, kur në mendjen e tij, del negativisht para lexuesit.

“Krejt tekstin e keni negativ”, thotë ish zëvendëskryeministri, por pa treguar specifikisht se ku është bërë shtrembërim i informacionit.

Abazi, me siguri, mendon se lajmet që shkruhen për të duhet të jenë të atilla që t’i pëlqejnë atij.

Lajmi mund të mos jetë i vërtetë në logjikën e Abazit, por duhet të jetë i pëlqyeshëm për pushtetin.

Ai, i veshur me pushtetin politik, mendon se e ka edhe atë hyjnor, dhe mund të caktojë fatet e njerëzve e në këtë rast gazetarëve e mediave.

Por Hakiu, duke mos qenë vetë gazetar, ka harruar se edhe mediat kanë pushtetin e tyre – atë të raportimit të së vërtetës.

Njerëz me kut si të tij edhe mund ta mashtrojnë veten se frikësojnë dikë, por efekti i vetëm që kanë në mediume si Albanian Post, që preokupim të vetëm e kanë të Vërtetën, është rritja e një zelli për të punuar edhe më shumë.

Dhe me punë ekspozohet fytyra e vërtetë e pushtetit, si në këtë rast fytyra kërcënuese e Haki Abazit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore