Shqipëria

Rama uron Netanyahu-n për mandatimin dhe i kujton premtimin e “pambajtur”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar homologun e tij të ri izraelit Benjamin Netanyahu për mandatimin e gjashtë në krye të vendit.

“Urime Bibi Netanyahu në mandatin tuaj të 6-të si udhëheqës i Izraelit. Shpresoj shumë që mençuria dhe përvoja juaj e madhe do të shërbejnë si një vlerë e madhe e shtuar jo vetëm për Izraelin, por edhe për Lindjen e Mesme dhe Evropën!”, shkruan kreu i Qeverisë shqiptare.

Në përmbyllje të mesazhit, Rama i kujton “Bibi-t”premtimin e “pambajtur”.

“Uroj që më në fund të mbani premtimin për të vizituar Shqipërinë”, nënvizon kryeministri shqiptar.

Kujtojmë që Netanyahu u betua të enjten e 29 dhjetorit si lider i asaj që ka të ngjarë të jetë qeveria më e djathtë e vendit në histori.

Netanyahu dhe qeveria e tij u betuan për mandatin e tij të gjashtë si kryeministër, 18 muaj pasi ai u rrëzua nga pushteti.

Ai rikthehet me mbështetjen e disa figurave të ekstremit të djathtë, të cilët dikur ishin futur në skajet e politikës izraelite, pasi formoi një koalicion pak para afatit të javës së kaluar.

Netanyahu bëri betimin pak çaste pasi parlamenti i Izraelit, ose Knesset, miratoi një votëbesim në qeverinë e tij të re të enjten.

Nga 120 anëtarët e parlamentit, 63 votuan pro qeverisë së re, me 54 vota kundër.

Anëtarët e partisë Likud të Netanyahu-t do të okupojnë disa nga postet më të rëndësishme të kabinetit, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore