Shqipëria

Rama thotë se do të kemi një përgjigje sa më shpejt për zhdukjen e Ervis Martinajt


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu kthye sërish zhdukjes së Ervis Martinajt gjatë konferencës së përbashkët online me qytetarët dhe gazetarët.

Rama theksoi se duhet të kemi pak më shumë durim për të pasur një përgjigje përfundimtare.

“Jam i sigurt që do ta kemi sa më shpejt, pasi përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të mbështetet në prova dhe nuk mund të thuhet zyrtarisht pa prova”, shtoi kreu i qeverisë.

Më 7 shtator, Rama solli në vëmendje për të parën herë mbulimin mediatik mbi zhdukjen e Martinajt.

Kjo e fundit, nuk u pasua nga asnjë reagim prej Policisë së Shtetit.

Në këtë premisë, duke prezantuar edhe drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Rama theksoi prerazi: Boll më me legjenda! Policia të flasë qartë, e kanë vrarë apo jo?

“Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot nuk e ka një përgjigje, për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri”, parashtroi pyetjen Rama.

Më tej, ai shtoi se çështja nuk mund të kthehet në një telenovelë, pasi bëhet fjalë për një prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri.

“Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”, vërejti kreu i Qeverisë.

Zhdukja e Martinajt

Nuk ka dyshim se eliminimi i Ervis Martinajt nga skena e botës së krimit të organizuar në Shqipëri, është një prej ngjarjeve më të bujshme të kronikës, në dekadën e fundit.

Redaksia e Albanian Post, më 19 gusht, publikoi detaje mbi të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, pas zhdukjes së tij dhe denoncimit që familjarët kanë bërë në Polici më 11 gusht.

Trupi i Ervis Martinajt, i copëtuar në gjashtë pjesë, është parë nga një dëshmitar. Por, gjasat që ai të gjehet nga autoritetet, për të faktuar përfundimisht edhe vdekjen e personit, i cili u kthye në mit të krimit në Shqipëri, janë shumë të pakta, për të mos thënë inekzistente.

Për herë të fundit, ai u pa në shoqërinë e një miku të tij. Teksa mendohet se tek bandat rivale, e ka shpënë një person i afërt, i cili e ka tradhëtuar.

Albanian Post solli detaje të reja mbi gjithë ngjarjen, ku sipas burimeve konfidenciale pranë redaksisë, përgjegjësit për zhdukjen e Martinajt kanë ardhur posaçërisht për eliminimin e tij nga jashtë kufijve të Shqipërisë.

Madje, sipas burimit, bëhet fjalë për një grup shumë të mirëstërvitur ushtarakisht, mes të cilëve ish-ushtarakë.

Po ashtu, burimi e thekson faktin se trupi i copëtuar i tij është parë nga një dëshmitar. Ajo çfarë do të jetë e vështirë, ka të bëjë me gjetjen e trupit dhe shpalljen zyrtare të vdekjes nga Policia, duke e lënë kështu zhdukjen mister.

Ekskluzive/ Kur u pa për herë të fundit i gjallë Ervis Martinaj?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore