Shqipëria

Zhduket Ervis Martinaj, familja kallëzon humbjen në Polici


Familja e Ervis Martinajt ka kallëzuar humbjen tërësore të kontakteve me të shumëkërkuarin nga Policia e Shtetit, pasi prej tre ditësh nuk kanë pasur asnjë shenjë prej tij.

Ka qenë xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj, ai i cili ka kryer kallëzimin në Policinë e Kurbinit.

Martinaj është një prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka rrëfyer për hetuesit se Martinaj ka qenë pjesë e disa prej atentateve më me zë në Shqipëri.

Ky lajm vjen disa javë pas vrasjes së Brilant Martinajt, një prej familjarëve të afërt të Ervis Martinajt.

Brilanti u vra së bashku me dy shtetas të tjerë në një atentat të mirëmenduar në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku autorët ende nuk janë kapur.

Në këto kushte, dyshime të forta ngrihen se Martinajn mund ta kenë rrëmbyer apo t’i ketë ndodhur diçka.

Grupi i tij i strukturuar është i dyshuar si një prej më të sofistikuarve, mirëpo një nga një, ata po zhduken, për shkak të konflikteve me rivalët.

Monopol

Një prej dyqaneve më të shtrenjtë e më të njohur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, do të kthehej në skenën më të bujshme të krimit në tetor 2018.

Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.

Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.

Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Fabian Gaxha

Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.

Haxhën ndërkaq e pati qëlluar truproja i Ervin Matës, Mervjol Bilo.

Rasti Malko

Santiago Malko, një ish-polic, mik i Martinajt, mbeti i vrarë në gusht 2019, pas një atentati që iu bë në mjetin e tij tip BMW.

Malko u ekzekutua më 27 gusht në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20, në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së tij u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Sipas SPAK-ut, vrasjes së ish-policit i paraprin një ngjarje kriminale, ajo e 26 gushtit në vitin 2018, kur në një lokal mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Ibrahim Durollari dhe Rovaldo Mumajesi.

Santiago Malko

Autori i kësaj ngjarjeje dyshohej të ishte pikërisht Santiago Malko. Fill pas kësaj, SPAK sugjestionoi se ai ka qenë i përfshirë edhe në tentativën për vrasjen e Erlis Dukës.

Ndërkohë, në një intervistë televizive nëna e viktimës do të shprehej se vëllezërit Duka ishin vrasësit e djalit të saj.

Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj.

Vrasja e Astirit

Erigers Mihasi, do të bëhej edhe miku i tretë i Martinajt, i cili do të mbetej i vrarë në një atentat në Tiranë, në zonën e Astirit.

Pasi ishte i shpallur në kërkim në qershor 2020 nga Policia, Mihasi u vra më 13 nëntor 2021, në udhëtim e sipër me automjetin e tij tip Audi A8.

Erigers Mihasi

Mihasi, së bashku me një mikun e tij të automjet, u qëlluan me breshëri automatiku dhe u lanë të vdekur në vend.

Ngjarja tek “Monopoli” e ka bërë po ashtu të njohur fillimisht për Polinë Mihasin, pasi ai u mor në pyetje lidhur me çfarë ndodhi aty.

Mihasi ishte po ashtu mik i ngushtë me Santiago Malkon, i cili u vra disa muaj përpara atij.

Ervis Martinaj

Ndërsa, me vrasjen e Brilant Martinajt, saga e krimeve ndaj miqve të Ervis Martinajt (apo edhe të afërmve tashmë) nuk ka të përmbyllur dhe vijon të jetë e hapur.

Mandej, autorët për vrasjen e Mihasit, ende nuk janë identifikuar dhe vrasja e Brilant Martinajt, në mos identike, është shumë e ngjashme me atë të ndodhur në Astir në fund të 2021-shit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore