Shqipëria

Rama pritet si “hero” në New York dhe kujton “heroizmat” e Shqipërisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ndjeu “turp” nga refuzimi i vendeve më të pasura për të pritur afganët.

Kjo deklaratë u bë e ditur gjatë pranimit të çmimit prestigjoz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award”.

“Ajo çfarë ndjeva përballë hezitimit të madh dhe refuzimit të vendeve shumë më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve, ka vetëm një emër – turp”, deklaroi fillimisht Rama.

Para se të merrte fjalën kryeministri shqiptar, në skenë u ngjit një qytetare afgane, e cila mbërriti në Shqipëri fill pas pushtimit taleban.

“Ne kurrë mund ta falënderojmë mjaftueshëm për atë që bëri për ne. Për shkak të tij, ne kemi një të ardhme. Ai është heroi ynë”, deklaroi Mansoura.

Rama nënvizoi se nuk arrin ende të bëjë paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregull, është përjashtim.

Ai zhvendosi vëmendjen prej tij dhe kujtoi heroizmat e Shqipërisë gjatë Luftës Botërore me komunitetin hebre.

Apo edhe normat e Kanunit, referuar mikpritjes së miqve dhe të panjohurve sipas traditës dhe zakonit krahinor.

“Modestia nuk është pika ime më e fortë, por dua të tregohem modest, sepse kjo është e vërteta. Nuk ishte merita ime, sepse rastisa që isha kryeministri, është merita e shqiptarëve”, theksoi Rama.

Sipas tij, këta të fundit e mbështetën plotësisht vendimin.

“Kur u pyetën se si ndiheshin për këtë vendim, një shumicë tejet më e madhe sesa ajo që mbështet qeverinë pohoi se ‘kemi qenë në këto pozita si shqiptarët 30 vite më parë'”, ravijëzoi në përmbyllje fjalimi i kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore