Shqipëria

Rama flet rreth “dashurisë së verbër” për Evropën dhe zbulon nëse Netanyahu do të arrestohej në Shqipëri pas vendimit të GJNP-së


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë të dhënë për gazetaren Ghida Fakhry e TRT World ka folur për ‘dashurinë e verbër’ të Shqipërisë për Evropën dhe paralajmëron për nacionalizmin në rritje në kontinent.

“Procesi i integrimit ka qenë shumë i ngadaltë. Ne jemi në dashuri të verbër me Evropën, kështu që dashuria e verbër nuk ka vetëm arsye por ka gjithashtu diçka tjetër që ishte e vështirë për tu shpjeguar. Dashuria e tyre për ne nuk është e verbër, e jona për ta po”.

I pyetur nëse beson te fjalët e Ursula Von der Leyen ku tha se “jeni në rrugën e duhur”, Rama u përgjigj pozitivisht.

“Unë besoj te Ursula dhe për meritat e saj. Me ardhjen e saj në krye të komisionit  diçka e rëndësishme ndryshoi kur bëhet fjalë për ne, sepse mos harroni më parë ishte një komision që filloi duke thënë jo dhe ajo vazhdoi të thoshte se ne kemi nevojë për ju, por asnjëherë duke mos bërë një hap shtesë për të na ndihmuar të arrijmë atje, kështu që po unë besoj dhe jo vetëm besoj sepse në këtë kuptim ne jemi besimtarë të verbër”.

Ai thotë se “të gjithë shqiptarët ndjejnë në të njëjtën mënyrë; ata duan që Shqipëria të jetë pjesë e Evropës dhe të jetë e lidhur në Evropë, dhe për këtë arsye ne kurrë nuk kemi pasur, pas rrëzimit të regjimit, asnjë parti komuniste, asnjë forcë ose lëvizje që do të pretendonte të kundërtën ose që do të propagandonte pikëpamje euroskeptike”.

Kreu i qeverisë shtoi se “tani është shumë e qartë që Evropa është bërë peng i nacionalizmave, në kuptimin që nuk ka rëndësi nëse lëvizjet nacionaliste kanë marrë pushtet kudo, por kudo ku ato ekzistojnë dhe kudo ku kanë ndikim, ka një presion”.

Duke folur për marrëveshjen me Italinë për ngritjen e dy qendrave të pritjes së emigrantëve kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria nuk është në BE, por ne jemi Evropë.

“Së dyti nuk jemi vetëm fqinj por jemi shumë më të afërt me Italinë. Në një farë kuptimi, Italia për ne është Shqipëria dhe Shqipëria për Italinë është Italia, kështu që kjo është se si funksionon. Më pas, Italia ka bërë shumë për ne, kështu që lidhja e saj shumë e veçantë”.

Gjithashtu gazetarja u ndal dhe te kërkesa e kryeprokurorit të gjykatës më të lartë penale në botë (GJNP) për urdhër-arreste për liderët e Izraelit dhe Hamasit.

I pyetur nga gazetarja se nëse GJNP lëshon një urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun dhe nëse ai ka vizituar Shqipërinë, a duhet ta arrestoni – Rama tha se “në Shqipëri kemi një fe mbi çdo fe tjetër, shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e të ftuarit dhe për aq sa është mysafiri brenda perimetrit te pronës tënde, edhe pse armiku yt, është nën mbrojtjen tënde”.

“Nuk ka të bëjë me kultivimin e lidhjeve të ngushta. Sigurisht që ne kemi lidhje të ngushta me Izraelin, por kemi lidhje të ngushta edhe me botën arabe. Për aq sa kemi rënë dakord për të pasur këtë organ të drejtësisë ka vendime që mund të na pëlqejnë ose mund të as të pëlqejnë, por janë vendime të një organi të drejtësisë, ne kemi rënë dakord por nga ana tjetër, nëse më pyetët mua personalisht, e gjej absolutisht si vendim të egër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore