Shqipëria

Rama: Brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euro-atlantike


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në përfundim të takimeve të niveleve të larta në Bruksel ka konstatuar regresin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.

“Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike”, thekson fillimisht Rama.

Sipas tij, BE-ja e mbështetur nga SHBA-të ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit.

Ky i fundit, shton kryeministri shqiptar, paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës.

“Është e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, pas zhvillimeve të fundit, Beogradi zyrtar po ia del “të fshihet pas mjegullës” gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike.

Kjo, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë, shtoi Rama.

Për kryeministrin shqiptar, është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, kujtoi ai.

Rama vërejti se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme.

Të gjitha këto, pa rënë asnjëherë “në kurthin ballkanik të së shkuarës”, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Evropës.

Ndërtimi i vizitës në Bruksel

Rama bëri thirrje gjatë konferencës me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell që është koha për një de-eskalim të situatës në veriun e Kosovës.

“Tani është koha për një de-eskalim dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë, pasi situata po bëhet urgjente”, theksoi kreu i Qeverisë. “Ne jemi pjesë e rajonit që ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe nuk mund të ketë një shikim mbrapa”.

Rama shtoi se ishte një moment shumë i frytshëm për të folur me përfaqësuesin evropian.

“Jemi shumë të vetëdijshëm që jemi gati për hapin e radhës, por gjithashtu ishte kënaqësi për të ndarë opinionet tona për diçka që është kaq shqetësuese për momentin, që ka të bëjë me stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë falënderoi kryediplomatin e BE-së, për ndarjen e shumë provave pas humbjes së durimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për ngritjen e shqetësimit.

“Uroj që konferenca e nivelit të lartë mes liderëve të të dyja palëve do të tërheqë vëmendjen dhe do të sjellë nga shtetet anëtare të BE-së, nga SHBA-të dhe të mos i lejojmë të dalin pa një marrëveshje nga konferenca”, ravijëzoi sërish Rama.

Ndryshe nga e hëna kur fokusi i ditës ishte vetëm takimi me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, 27 qershori ishte një ditë e zënë për agjendën e kryeministrit shqiptar.

Në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë zhvilloi tre takime: fillimisht me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më pas me Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe në përmbyllje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell.

Von der Leyen reagoi pas takimit me kryeministrin shqiptar duke zbuluar tematikat e diskutuara.

“Takim shumë frytdhënës me Edi Ramën. Diskutuam progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe Planin tonë të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë”, shkruan zyrtarja e lartë evropiane në median sociale “Twitter”.

Takimi me Charles Michel

Më herët, gjatë takimit me Charles Michel, të dy pranuan se ekziston një domosdoshmëri e menjëhershme për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Në këtë rrafsh, kjo është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë.

“Duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, përmbyllte postimin e shkurtër kreu i Qeverisë shqiptare.

Në një tjetër postim, Rama shpjegoi se kishte shkuar në Bruksel për t’i përcjellës Michel-it shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon.

Sipas tij, fatkeqësisht së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek “fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”.

Kjo, ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin, shtoi kryeministri shqiptar.

“Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Evropës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, argumenton kreu i Qeverisë.

Pas dërgimit të letrës në adresë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, kryeministri shqiptar Edi Rama vijon përpjekjet për të arritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Numri një i Qeverisë u shpreh para tre ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel.

Pasi tashmë duhet një shtytje e re: zbatimi me doemos i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbëtarët e planit franko-gjerman dhe që ky plan të zbatohet me doemos”, ishin fjalët e tij.

Sipas Ramës, është e domosdoshme që Macron dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë.

Kryeministri shqiptar ka propozuar më herët një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama sqaroi se, kjo konferencë normalizimi është pa të drejtë daljeje derisa të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajit.

‘Basti’ i dikurshëm i Daytonit dhe risku i një ‘Konference normalizimi pa të drejtë daljeje’ për Kosovën dhe Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore