Sport

Ralf Rangnick prezantohet te United: Klubi nuk ka pasur vazhdimësi


Gjermani 63-vjeçar, Ralf Rangnick, është prezantuar te Manchester United gjatë kësaj të premte. Ai merr detyrën e trajnerit pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer-it dhe pas fitores 3-2 përballë Arsenal-it në mbrëmjen e të enjtes. Ndeshje të cilën e ndoqi nga tribuna.

Rangnick do të jetë i përkohshëm në krye të stolit të “Djajve të kuq” deri në fundin e sezonit. Por, vetë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’u bërë trajner i përhershëm i United nëse gjërat shkojnë siç duhet.

Gjermani foli në konferencë për shtyp gjatë prezantimit të tij, për gati një orë e gjysmë. Ai bëri një përmbledhje të të gjithë situatës së klubit dhe lojtarëve.

“Klubi nuk ka pasur vazhdimësi në nënshkrimin e lojtarëve të rinj dhe për t’iu përmbajtur ADN-së së klubit”, tha Rangnick-u.

“Në të ardhmen, anëtarët e bordit dhe unë kemi të njëjtin mendim. Është e rëndësishme që të mos ketë shumë ndryshime në menaxhim”.

“Sigurisht, i kam parë të gjitha ndeshjet e fundit, madje edhe para kontaktit nga klubi. Jam shumë i vetëdijshëm për atë që po ndodh këtu dhe në Premier League. Është e qartë se skuadra ka lojtarë mjaft të talentuar”.

“Objektivi kryesor për mua është të sjell më shumë ekuilibër në ekip. Edhe dje pësuam dy gola dhe na duheshin tre për të fituar ndeshjen”, shtoi 63-vjeçari.

Tekniku nuk la pa përmendur as super yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldo-n. Portugezi me dy golëshin e tij i dha tri pikët United. Gjithashtu ai arritit kuotën e 801 golave në karrerë, si askush tjetër më parë.

“Ai është një profesionist i mrekullueshëm, i lartë. Në moshën e tij, nuk kam parë një lojtar që është akoma aq i aftë fizikisht”, theksoi gjermani.

Rangnick-u do të ketë ndeshjen e parë si trajner i United përballë Crystal Palace. Ndeshja luhet të dielën në “Old Trafford”, për javën e 15 në Premier League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore