Shqipëria

Grupi austriak Raiffeisen do të qëndrojë në Shqipëri


Grupi austriak Raiffeisen ka konfirmuar qëndrimin në Shqipëri, duke përgënjeshtruar zërat për shitjen e tij.

Kryetari i Këshillit Drejtues për Shqipërinë, Peter Lennkh, ka thënë se Raiffeisen Bank International nuk do të largohet nga tregu shqiptar.

“Banka jonë ka një pozicion të fortë në treg dhe gëzon një reputacion të lartë dhe vlerësime shumë të mira nga klientët tanë. Për më tepër, ne kemi një pikëpamje pozitive për zhvillimet e ekonomisë së Shqipërisë, e cila mbështetet nga perspektiva e anëtarësimit në BE”, ka shtuar ai.

Lennkh ka theksuar se banka do të vazhdojë t’u shërbejë klientëve “në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i bankës në Shqipëri, Christian Canacaris, i ka thënë stafit se do të vijohet për të përmbushur misionin për inovacionin e vazhdueshëm në ndihmë të klientëve.

“Mezi po pres të festojmë së bashku përvjetorin e 20-të të Raiffeisen Bank në Shqipëri dhe të gjitha arritjet tona”, ka shtuar ai ndër të tjera.

Në tregun shqiptar, Raiffeisen Bank është banka e tretë më e madhe, pas BKT dhe Credins.

Po ashtu është banka e dytë më e madhe huadhënëse e ekonomisë, me një portofol total prej 113 miliardë lekësh ose 16.6 për qind e kredisë totale të dhënë nga sektori bankar shqiptar deri në mesin e këtij viti.

Në listën e dhjetë biznezeve me kontributet më të larta në pagesën e tatim fitimit, Raiffeisen renditet e pesta.

Ajo hyri në Shqipëri në vitin 2004, duke nxitur rritjen e sektorit bankar në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore